Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, i ka kërkuar Rusisë transparencë të plotë pas vdekjes së një punonjëseje të një instituti kërkimor për murtajën në Siberi, ndërsa nuk ka përjashtuar mundësinë e vendosjes së kufizimeve të udhëtimit për të mbrojtur Evropën.
Në një deklaratë për gazetën gjermane Bild, Wadephul tha se Rusia duhet t’u përgjigjet pyetjeve që kanë lindur pas ngjarjes. “Bota ka pyetje, të cilave Rusia i detyrohet përgjigje”, deklaroi ai, duke shtuar se Gjermania nuk do të marrë përsipër rreziqe të panevojshme. Sipas gazetës, ministri nuk përjashtoi as vendosjen e “kufizimeve të rrepta të udhëtimit”.
Shqetësimet nisën pas vdekjes, më 2 tetor, të një punonjëseje 28-vjeçare në Institutin Kërkimor Kundër Murtajës në Irkutsk, në Siberi. Sipas autoriteteve ruse, ajo ndërroi jetë nga një pneumoni me shkak të papërcaktuar. Megjithatë, rrethanat e sëmundjes dhe shkaku i vdekjes nuk janë bërë ende plotësisht të qarta.
Në mediat ruse janë publikuar pretendime se ngjarja mund të ketë lidhje me një aksident laboratorik, ku më 25 shtator dyshohet se është thyer një epruvetë që përmbante bakterin përgjegjës për murtajën pulmonare. Ky version nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka kërkuar nga autoritetet ruse informacione shtesë për të sqaruar shkakun e vdekjes dhe raportimet për një punonjës të dytë me pneumoni me origjinë të papërcaktuar. Deri tani, nuk është konfirmuar zyrtarisht se vdekja e 28-vjeçares është shkaktuar nga murtaja apo se ka shpërthyer një epidemi.


