Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka përdorur ish-drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni, për survejimin e kundërshtarëve politikë në opozitë, përfshirë edhe kundërshtarët e tij brenda Partisë Socialiste.
Gjithashtu, Berisha ngriti akuza të rënda për përdorimin e SHISH dhe AKSHI, duke pretenduar se veç regjistrimeve të paligjshme të opozitarëve, janë përdorur dhe se të dhëna shtetërore, përfshirë ato të sistemit TIMS, të cilat më pas u janë përcjellë organizatave kriminale dhe armiqve të Shqipërisë.
Ai e lidhi Vlora Hysenin me grupin e Ergys Agasit dhe pretendoi se emërimi i saj në krye të shërbimit informativ lidhej me arsyet e shkarkimit të saj nga drejtimi i shërbimit informativ të Kosovës.
"Edi Rama ka përdorur Vlora Hysenin dhe institucionin që ajo ka drejtuar, në funksion të karteleve të drogës, organizatave kriminale dhe kundër interesave të vendit. Ka përdorur Vlora Hysenin në funksion të survejimit të opozitës shqiptare.
Ka përdorur Vlora Hysenin në funksion të survejimit të kundërshtarëve të tij brenda Partisë Socialiste. Janë bërë me qindra e qindra regjistrime të paligjshme ndaj opozitarëve.
Vlora Hyseni rezulton anëtare e grupit të strukturuar kriminal më të rrezikshëm të Evropës, grupit të Ergys Agasit, grup i cili ka përdorur AKSHI-n dhe Vlora Hysenin për të regjistruar në kundërshtim me Kushtetutën opozitarët, për të regjistruar shërbimet diplomatike dhe misionet diplomatike në shkelje flagrante të Konventës së Vjenës, për t'ia transmetuar të dhënat armiqve të Shqipërisë", u shpreh Sali Berisha.
