Berisha: Të gjithë ata që vizitojnë SPAK-un, i njoftoj se SPAK-u është armik i egër i pluralizmit politik në Shqipëri

13:41, 10/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kryedemokrati, Sali Berisha, ka reaguar pas vizitës së ambasadorit amerikan dhe dy senatorëve në SPAK, duke deklaruar se Prokuroria e Posaçme nuk duhet vlerësuar vetëm përmes misionit që i atribuohet, por edhe për mënyrën se si trajton denoncimet për krimet zgjedhore.

Berisha e cilësoi institucionin si “armik të egër të pluralizmit politik në Shqipëri”, duke akuzuar prokurorinë se po amniston shkeljet zgjedhore në interes të mazhorancës.

Berisha pretendoi se SPAK-u nuk ka shqyrtuar 51 dosje të krimit elektoral, të cilat, sipas tij, përmbajnë rreth 1500 faqe dokumente dhe përfshijnë kryeministrin Edi Rama dhe ministra.

Pyetje-përgjigje

Pyetje: A jeni në dijeni të vizitës së ambasadorit amerikan në SPAK dhe cila mendoni se është arsyeja e vizitës së ambasadorit amerikan dhe dy senatorëve në SPAK, me Klodian Brahon dhe Joni Ketën?

Sali Berisha: Kam parë lajmin.

Dhe e vërteta është që SPAK-u është sot institucioni më i vizituar nga dinjitarët ndërkombëtarë. Nuk kanë, në vlerësimin tim, asnjë qëllim përveçse inkurajimit të SPAK-ut në misionin e tij.

Por, të gjithë atyre që vizitojnë SPAK-un, unë dua t'i njoftoj se SPAK-u është një armik i egër i pluralizmit politik në Shqipëri. Ky është problemi më themelor i SPAK-ut.

Se SPAK-u amniston krimin elektoral në emër të interesave të partisë së tij.

Se SPAK-u mbi 51 dosje të dorëzuara me dokumente, ja ku është ky libër, 1500 faqe libri, mbi 51 dosje të krimit elektoral, që përfshijnë Edi Ramën, përfshijnë ministrat, të denoncuar dhe në raportin e vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it, nuk ka shfletuar asnjë dhe i ka amnistuar.

Për mua, për Shqipërinë, për shtetin ligjor, ky është problemi më madhor, numër një i SPAK-ut.

Gjersa SPAK-u mban këtë qëndrim ndaj krimit monstruoz elektoral, ai është një armik i betuar i pluralizmit politik.

Dhe kjo është e faktuar, s'ka asgjë më të faktuar se kjo, cilido që e viziton.

Amnistimi i krimit elektoral është atentat ndaj pluralizmit, për aq sa vota e lirë, për aq sa partitë politike kanë peshën në pluralizmin politik.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco