Një shtetase gjermane, 51 vjeçe, është arrestuar nga shërbimet e Policisë Kufitare, pasi në bashkëpunim me autoritetet doganore dhe Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër, ka rezultuar se po dilte nga Shqipëria me armë dhe drogë.
Si rezultat i kontrolleve të imtësishme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për trafikimin e lëndëve narkotike, u kalua për kontroll të detajuar në skaner dhe më pas në vijën e dytë, në dalje, automjeti dhe ruloti që drejtohej nga shtetasja gjermane A. S.
Shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri pistoletë me mulli, me municionin përkatës, si dhe 6 kavanoza dhe 3 qese hermetike, në të cilat kishte lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë totale rreth 141 gramë.
Në vijim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasen gjermane A. S., 51 vjeçe, drejtuese e automjetit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri pistoletë me mulli, me municionin përkatës, 141 gramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, një automjet së bashku me rulotin dhe një celular.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Trafikimi i armëve dhe municioneve”.
