Kakavijë/ Kapet me pistoletë dhe 141 gramë kanabis, arrestohet 51-vjeçarja gjermane

14:05, 10/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një shtetase gjermane, 51 vjeçe, është arrestuar në pikën kufitare të Kakavijës, pasi gjatë kontrollit të automjetit dhe rulotit që drejtonte, policia gjeti një pistoletë me municion dhe 141 gramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis.

Sipas burimeve për SYRI-n, e arrestuar është shtetësja Alexandria Maria Schirmer, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Trafikimi i armëve dhe i municionit”.

Ajo u ndalua në kuadër të operacionit policor të koduar “Risku 2”.

PKK Kakavijë/ Njoftimi

Finalizohet operacioni policor i koduar “Risku 2”

Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë me mulli, me municionin përkatës, dhe 141 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis.

Vihet në pranga drejtuesja e automjetit.

Shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i kontrolleve të imtësishme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për trafikimin e lëndëve narkotike, si dhe i intensifikimit të kontrolleve bazuar në analizën e riskut, në bashkëpunim me autoritetet doganore dhe Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër, kaluan për kontroll të detajuar në skaner dhe më pas në vijën e dytë, në dalje, automjetin dhe rulotin që drejtohej nga shtetasja gjermane A. S.

Nga kontrolli i imtësishëm, shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri pistoletë me mulli, me municionin përkatës, si dhe 6 kavanoza dhe 3 qese hermetike, në të cilat kishte lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë totale rreth 141 gramë.

Në vijim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasen gjermane A. S., 51 vjeçe, drejtuese e automjetit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri pistoletë me mulli, me municionin përkatës, 141 gramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, një automjet së bashku me rulotin dhe një celular.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Trafikimi i armëve dhe municioneve”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco