Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar grumbullimin e ujit në disa rrugë të Vlorës, duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve dhe krijuar probleme për banorët.
Një nga zonat më të prekura është lagjja “Pavarësia”, ku uji ka mbuluar segmente të rrugëve. Banorët ngrenë shqetësimin për gjendjen e pusetave, të cilat, sipas tyre, janë bllokuar nga gurët dhe mbetjet inerte, duke penguar shkarkimin normal të ujërave.
Për pasojë, uji mbetet i grumbulluar në rrugë dhe pranë banesave, ndërsa banorët druhen se situata mund të rëndohet nëse reshjet vijojnë.
Ata kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për pastrimin e pusetave dhe kanaleve kulluese, si dhe marrjen e masave për të shmangur përsëritjen e problematikës sa herë që qyteti përballet me reshje të forta.













