AKTUALITET /

BE lë jashtë Serbinë, nuk do të ketë udhërrëfyes integrimi për Beogradin

Marta Kos deklaroi se Beogradi duhet të përmbushë më shumë kushte dhe se pas zgjedhjeve do të vlerës

Shkruar nga Versus

BE lë jashtë Serbinë, nuk do të ketë

Serbia nuk do të përfshihet në udhërrëfyesit e rinj të Bashkimit Evropian për anëtarësimin, ndërsa Shqipëria, Mali i Zi, Ukraina dhe Moldavia do të jenë katër vendet për të cilat Komisioni Evropian pritet të publikojë dokumentet në fund të tetorit.

Vendimi sinjalizon ngecjen e Serbisë në procesin e integrimit evropian, ndërsa vendet e tjera kandidate kanë shënuar përparim në negociatat e anëtarësimit.

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi se Beogradi duhet të përmbushë më shumë kushte dhe se pas zgjedhjeve do të vlerësohet nëse qeveria serbe do të ndërmarrë hapa konkretë drejt anëtarësimit në BE.

Ajo theksoi veçanërisht rëndësinë e përafrimit strategjik dhe harmonizimit të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Serbisë me atë të Bashkimit Evropian.

Serbia nuk ka hapur kapituj të rinj negociues që nga dhjetori i vitit 2021, kur hapi grupkapitullin e katërt, që përfshin agjendën e gjelbër dhe ndërlidhjen e qëndrueshme. Ndër faktorët që kanë ndikuar në ngecjen e procesit janë mospërputhja e politikës së jashtme serbe me atë të BE-së, veçanërisht lidhur me sanksionet ndaj Rusisë, si dhe përkeqësimi i situatës në fushën e sundimit të ligjit.

Strahinja Subotiq, nga Qendra për Politika Evropiane në Beograd, e cilësoi përjashtimin nga udhërrëfyesit si një paralajmërim serioz për Serbinë. Sipas tij, vendi rrezikon të humbasë edhe përfitime që lidhen me anëtarësimin gradual në Bashkimin Evropian.

Ndërkohë, Shqipëria dhe Mali i Zi kanë avancuar në procesin e integrimit. Negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë u hapën në korrik të vitit 2022, ndërsa Mali i Zi është më pranë përfundimit të negociatave.

Sipas Subotiqit, diferenca nuk lidhet vetëm me përgatitjen teknike për anëtarësim, por edhe me vullnetin politik për të bërë reforma dhe për të përparuar në kapitujt negociues.

Komisioni Evropian pritet të miratojë paketën e zgjerimit më 28 tetor, ku do të përfshihen edhe udhërrëfyesit për katër vendet që kanë shënuar përparim.

Përpjekjet për zhbllokimin e negociatave me Serbinë nuk kanë dhënë rezultat, pavarësisht mbështetjes së disa vendeve anëtare, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, për hapjen e grupkapitullit të tretë.

Zhvillimet e fundit politike dhe zgjedhjet e parakohshme të paralajmëruara për 25 tetor e bëjnë të pasigurt mundësinë e një përparimi konkret të Serbisë në procesin e anëtarësimit deri në fund të vitit./Versus.al

Poll