Mjedisi, sfidë për Shqipërinë, Bashkimi Europian kërkon standarte në riciklimin e mbetjeve

10 Tetor 2026, 16:25Sociale TEMA
Mjedisi, sfidë për Shqipërinë, Bashkimi Europian kërkon

Shqipëria duhet të përshpejtojë përpjekjet për reduktimin dhe riciklimin e mbetjeve, nëse synon të përmbushë standardet mjedisore të BE-së. Aktualisht, vetëm një sasi shumë e vogël e mbetjeve në vend riciklohet, ndërsa Bashkimi Evropian kërkon rezultate të prekshme brenda vitit 2027.

“Ekonomia qarkulluese është një nga direktivat që Shqipëria duhet të përmbushë për të qenë pjesë e BE-së, është një nga 201 direktivat që duhet të përmbushë. Nuk është më zgjedhje, Shqipëria duhet të kalojë në ekonominë qarkulluese nëse do të bëhet pjesë e familjes evropiane. Shqipëria ka ndërmarrë disa hapa ligjorë, por brenda fundit të vitit tjetër duhet të tregojë edhe çfarë ka bërë konkretisht për të ulur sasinë e mbetjeve dhe për të ricikluar mbetjet. Brenda vitit 2030, 60% e mbetjeve bashkiake duhet të riciklohen, ky është objektivi. Përderisa vendi ynë ka kërkuar periudhë kalimtare, i bie që ky objektiv të arrihet në vitin 2036. Por jemi shumë larg, përderisa aktualisht riciklohen vetëm 18% e mbetjeve dhe duhen bërë hapa shumë të mëdhenj.”, tha Edvin Pacara.

Praktikat e ekonomisë qarkulluese po zbatohen edhe në sektorin e hotelerisë. Një hotel në Durrës, me mbështetjen e BE-së dhe Gjermanisë, po zëvendëson plastikën njëpërdorimshe, me synimin që brenda vitit të reduktojë 1.5 ton mbetje.

“Produktet plastike që përfundojnë në det dhe natyrë të minimizohen dhe të ripërdoren gjatë punës në hotel. Në krahasim me kostot që kemi parë në sezonet e kaluara, kostot janë të njëjta, madje në shumë raste janë edhe më të ulëta, sepse ripërdorimi i një produkti të çon në blerje më të pakta, pra blerjet e produkteve plastike janë në vazhdimësi, që rrisin kostot. Për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, kemi reduktuar një ton mbetje plastike. Vitin e kaluar janë krijuar mbetje plastike në një sasi shumë të madhe. Ka mbetje plastike të shumëllojshme, pipat, gotat, pjesa e produkteve të mbështjelljes janë zëvendësuar me produkte tekstile, me pipa bambuje. Po shohim ndikim si në anën financiare, edhe te ndikimi në mjedis.”, Shprehet endri Çela.

Me përqafimin e ekonomisë qarkulluese, në vend pritet të krijohen edhe vende të reja pune, që duhen plotësuar nga staf i trajnuar për riciklimin, dizenjimin dhe rifutjen e mbetjeve në ciklin e ekonomisë.

Lini një Përgjigje