Familja e Erkan Nikës, 28-vjeçarit shqiptar që rezulton i zhdukur pas sulmit me dronë ndaj anijes së mallrave “Aroyat” në Detin e Zi, kërkon ndihmën e institucioneve shqiptare për të zbuluar se ku ndodhet i riu.
Babai i tij, Rexh Nika, ka bërë apel publik gjatë një interviste të dhënë për gazetaren Anila Hoxha, duke kërkuar që autoritetet shqiptare të angazhohen në përpjekjet për gjetjen e të birit. Familja u është drejtuar gjithashtu insiticuoneve në Rusi, Gjeorgji dhe vendet përreth Detit të Zi, me shpresën se Erkani mund të jetë dërguar në ndonjë spital ose gjetur në zonat bregdetare pa u identifikuar.
“U bëjmë thirrje të gjitha spitaleve, të gjitha institucioneve shëndetësore, policisë, autoriteteve dhe institucioneve përkatëse në Rusi, Gjeorgji dhe përreth Detit të Zi që të kontrollojnë regjistrat e tyre për pacientë të paidentifikuar, personave të plagosur, ose individë të gjetur në zonat bregdetare të Detit të Zi. Kërkojmë ndihmë nga institucionet shtetërore të Shqipërisë”, thotë fillimisht Rexh Nika.
Familja jeton në Turqi prej vitit 1997, ndërsa Erkani punonte prej vitesh në bordin e anijes “Aroyat”. Sipas të atit, anija ishte nisur nga porti i Durrësit dhe kishte 16 anëtarë ekuipazhi. Pas sulmit të ndodhur në 27 shtator, 15 prej tyre u shpëtuan, ndërsa Erkani nuk figuron mes personave të evakuuar dhe vijon të rezultojë i zhdukur.
Babai tregon se komunikimi i fudnit me të birin ishte përmes mesazheve, pak ditë para incidentit. Ai thotë se i kishte shkruar në mbrëmjen e 23 shtatorit dhe kishte marrë përgjigje mëngjesin pasardhës.
“Me djalin, mesazhin e fundit e kam ditën e mërkurë me 23 shtator. Në darkë, para se të flija, i kam bërë meazh, një lutje. Më ktheu përgjigjen të nesërmen në orën 08:39. “Jemi në Detin e Zi”, ma ka thënë”, rrëfen Rexh Nika.
Familjarët vijojnë të kërkojnë informacion për fatin e Erkan Nikës, ndërsa shpresojnë që kontrolli i spitaleve dhe institucioneve përkatëse në rajon të ndihmojë në zbardhjen e vendndodhjes së tij.
