web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

"Rol thelbësor në luftën kundër korrupsionit dhe krimit"/ McGrath vlerëson punën e SPAK

10 Tetor 2026, 17:29, Aktualitet CNA

"Rol thelbësor në luftën kundër korrupsionit dhe

Komisioneri i Bashkimit Evropian për demokracinë, drejtësinë dhe shtetin ligjor, Michael McGrath ka vlerësuar rolin thelbësor të Prokurorisë së Posaçme në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar në Shqipëri.

Në një intervistë për Euronews Albania, McGrath tha se SPAK ka një punë të vështirë dhe për këtë arsye është e rëndësishme mbështetja ndaj tyre nga të gjitha organet publike dhe aktorët politikë.

Ai shtoi se është gjithashtu shumë e rëndësishme që ata të kenë nivelin e burimeve që u nevojiten për t’u përballur me njerëz që janë të përfshirë në korrupsion të nivelit të lartë dhe në krim të organizuar.

“Ne njohim rolin thelbësor që po luan SPAK-u në drejtim të luftës kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar në Shqipëri. Ata kanë një punë të vështirë. Dhe kjo është arsyeja pse mbështetja e plotë në gjithë sistemin politik dhe nga të gjitha organet publike është kaq e rëndësishme për punën që ata bëjnë, së bashku me mbështetjen nga publiku i gjerë. Pra, është shumë e rëndësishme që ata të kenë nivelin e burimeve që u nevojiten, kompetencat që u nevojiten dhe aftësinë që u nevojitet për t’u përballur me njerëz që janë të përfshirë në korrupsion të nivelit të lartë dhe në krim të organizuar, çka rëndon ndjeshëm mbi njerëzit e zakonshëm.

Dhe nuk duhet të harrojmë kurrë realitetin se korrupsioni nuk është një krim pa viktima. Ai shpesh mund të përfshijë përdorimin e burimeve të pakta publike që njerëzit do të preferonin shumë më tepër t’i shihnin të përdorura për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve publike që ofrohen në vend. Kështu që u ndjeva i kënaqur që pata mundësinë të shprehja mbështetjen e plotë të Komisionit Evropian për punën e SPAK-ut. Është e rëndësishme që edhe gjithë aktorët politikë të shprehen publikisht në mbështetje të SPAK-ut dhe të punës që ai bën, pasi kjo mbështetje është e rëndësishme. Është e rëndësishme që qytetarët të dëgjojnë se ekziston një mbështetje politike e nivelit të lartë”, tha McGrath.

Ndër të tjera, Komisioneri u shpreh se pret përparim në forcimin e rezultateve të arritura në hetimin, ndjekjen penale dhe dhënien e dënimeve si në lidhje me korrupsionin e nivelit të lartë ashtu edhe me krimin e organizuar.

“Ne presim me interes të shohim përparim të mëtejshëm në forcimin e rezultatave të arritura në hetimin, ndjekjen penale dhe dhënien e dënimeve si në lidhje me korrupsionin e nivelit të lartë ashtu edhe me krimin e organizuar. Por, e vërteta është se korrupsioni duhet luftuar në të gjitha nivelet. Dhe kjo është arsyeja pse roli i shërbimeve të tjera prokuroriale në Shqipëri është po ashtu i rëndësishëm. Është po ashtu e rëndësishme që të trajtojmë shkaqet bazë të korrupsionit ndërsa ai ndodh dhe të vendosim masa mbrojtëse të përshtatshme në të gjitha nivelet”, u shpreh ai. /CNA





16:11 Aktualitet

Lana pas fasadës

Në disa ditë ne kemi sjellë plane dhe një vëzhgim të lumit...

Lajmet e fundit nga