
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka inauguruar një segment të ri të hekurudhës që lidh Turqinë me kufirin bullgar, duke drejtuar personalisht trenin gjatë udhëtimit të parë.
Në kabinën e drejtimit ishte edhe komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila gjatë udhëtimit e pyeti Erdogan nëse dinte të drejtonte edhe helikopterin.
“Po”, u përgjigj presidenti turk, duke shkaktuar të qeshura mes të pranishmëve.
Segmenti i ri hekurudhor, me gjatësi 153 kilometra, lidh Çerkezköyn me Kapıkulen, në kufirin me Bullgarinë, dhe është projektuar për shpejtësi deri në 200 kilometra në orë.
Linja është pjesë e projektit Halkalı–Kapıkule, që synon të përmirësojë lidhjet hekurudhore mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian.
Gjatë ceremonisë së inaugurimit, Erdogan deklaroi se projekti do të shkurtojë kohën e udhëtimit me tren mes Halkalıt dhe Kapıkules nga rreth katër orë në një orë e gjysmë.
Sipas tij, hekurudha do të lehtësojë lidhjen e qendrave industriale turke me tregjet evropiane, duke nxitur tregtinë, eksportet dhe turizmin.
Ndërtimi i projektit nisi në vitin 2019, ndërsa financimi sigurohet bashkërisht nga Turqia dhe Bashkimi Evropian./Versus.al

