AKTUALITET /

Erkan Nika u zhduk pas sulmit me dronë në Detin e Zi, familja apel shtetit shqiptar: Na ndihmoni ta gjejmë!

Pas sulmit, 15 anëtarë të ekuipazhit arritën të shpëtonin, ndërsa Erkan Nika nuk rezulton në listën e të shpëtuarve.

Shkruar nga Versus

Erkan Nika u zhduk pas sulmit me dronë në Detin e Zi, familja apel

Familja e Erkan Nikës, 28-vjeçarit shqiptar që punonte si inxhinier i dytë në anijen turke të mallrave “Aroyat”, i ka bërë apel shtetit shqiptar që të përfshihet në kërkimet për gjetjen e tij, pasi rezulton i zhdukur pas sulmit me dronë në Detin e Zi.

Babai i të riut, Rexh Nika, në një intervistë për TCH, u ka kërkuar institucioneve shqiptare të ndihmojnë në koordinimin me autoritetet e vendeve përreth Detit të Zi, për të mësuar fatin e të birit.

“U bëjmë thirrje të gjitha spitaleve, të gjitha institucioneve shëndetësore, policisë, autoriteteve dhe institucioneve përkatëse në Rusi, Gjeorgji dhe përreth Detit të Zi që të kontrollojnë regjistrat e tyre për pacientë të paidentifikuar, personave të plagosur, ose individë të gjetur në zonat bregdetare të Detit të Zi. Kërkojmë ndihmë nga institucionet shtetërore të Shqipërisë”, deklaroi ai.

Familja Nika jeton në Turqi që prej vitit 1997, ndërsa Erkani punonte prej vitesh në anijen “Aroyat”, e cila u sulmua më 27 shtator pranë portit të Novorossiyskut. Sipas të atit, anija ishte nisur nga porti i Durrësit dhe kishte në bord 16 anëtarë ekuipazhi.

Pas sulmit, 15 anëtarë të ekuipazhit arritën të shpëtonin, ndërsa Erkan Nika nuk rezulton në listën e të shpëtuarve.

Kontakti i fundit mes 28-vjeçarit dhe familjes ishte më 24 shtator, kur ai iu përgjigj mesazhit të të atit, duke i treguar se ndodhej në Detin e Zi.

“Ma ktheu përgjigjen të nesërmen në orën 08:39. ‘Jemi në Detin e Zi’, më ka thënë”, rrëfeu Rexh Nika./Versus.al

Poll