
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kritikuar ashpër presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke deklaruar se Ukraina duhet të zgjedhë një udhëheqës të ri, i cili mund të arrijë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.
Trump shprehu pakënaqësinë e tij për vijimin e sulmeve ukrainase ndaj rafinerive dhe impianteve ruse të naftës, duke pretenduar se këto goditje po ndikojnë në rritjen e çmimeve të karburanteve dhe po krijojnë probleme për tregjet ndërkombëtare.
“Unë sugjeroj që ata të gjejnë një udhëheqës të ri që mund të bëjë një marrëveshje. Ai pati shumë mundësi për të bërë marrëveshje, por nuk bëri asnjë”, deklaroi Trump, duke akuzuar Zelenskyn se ka refuzuar mundësitë për t’i dhënë fund konfliktit.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë përsëriti gjithashtu pretendimin e tij se lufta nuk do të kishte nisur nëse ai do të kishte qenë president në atë kohë. Ai fajësoi administratën e mëparshme amerikane dhe kritikoi udhëheqjen ukrainase për humbjet territoriale dhe njerëzore të shkaktuara nga konflikti.
Trump tha se Uashingtoni i kishte kërkuar Kievit të mos sulmonte rafineritë ruse të naftës, duke argumentuar se këto goditje mund të përkeqësojnë mungesën e karburanteve dhe të ndikojnë te fermerët, blegtorët dhe konsumatorët amerikanë.
“Ne u thamë atyre: ‘Bëni çfarë të doni, por mos i godisni impiantet e prodhimit të naftës, sepse ka një problem të madh, një mungesë të madhe’. Dhe çfarë bën ai? Ai shkon dhe godet impiantet e prodhimit të naftës”, u shpreh presidenti amerikan.
Deklaratat e Trump vijnë në një kohë kur vazhdojnë luftimet mes Rusisë dhe Ukrainës, ndërsa mbeten të hapura mosmarrëveshjet mbi kushtet e mundshme të një marrëveshjeje për përfundimin e luftës./Versus.al
Reporter: Critics of the diesel deal say it could prolong the war in Ukraine… Trump: Zelenskyy could have settled this war many times and he chose not to. We said you can do whatever you want to Russia, don't hit the refineries. Zelenskyy wants to make problems for the world and our farmers.he better damn well stop.
— Acyn (@Acyn) October 10, 2026

