AKTUALITET /

Trafikonin kokainë përmes kontejnereve me banane drejt Evropës, Europol godet rrjetin në Ekuador që financohej nga Dubai. 20 persona në pranga

Sipas Europolit, droga fshihej në ngarkesa me banane, ndërsa trafikantët përdornin kompani të ligjshme të importit

Shkruar nga Versus

Trafikonin kokainë përmes kontejnereve me banane drejt Evropës,

Një rrjet ndërkombëtar i trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës është goditur nga Europol, në bashkëpunim me autoritetet e Spanjës dhe Ekuadorit. Në kuadër të operacionit të koduar “Kantabria”, janë arrestuar 20 persona në Ekuador.

Operacioni u zhvillua më 8 tetor 2026, kur autoritetet kryen kontrolle në 23 lokacione, pas një hetimi disa vjeçar ndaj organizatës kriminale që dyshohet se transportonte sasi të mëdha kokaine përmes rrugëve detare.

Sipas Europolit, droga fshihej në ngarkesa me banane, ndërsa trafikantët përdornin kompani të ligjshme të importit dhe eksportit të frutave tropikale për të kamufluar aktivitetin e tyre. Ngarkesat niseshin nga Ekuadori drejt porteve evropiane.

Hetimet zbuluan se rrjeti kishte një shtrirje të gjerë ndërkombëtare, me baza në Peru dhe lidhje logjistike në Belgjikë, Spanjë e Holandë. Organizata kishte gjithashtu lidhje operative dhe financiare në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Gjatë 13 operacioneve të zhvilluara nga viti 2022 deri në vitin 2026, autoritetet sekuestruan më shumë se 43 tonë kokainë. Mes rasteve më të mëdha të lidhura me këtë rrjet janë sekuestrimi i afro katër tonëve kokainë në Holandë, në dhjetor 2020, dhe kapja e 13 tonëve në Spanjë.

Një pjesë e rëndësishme e provave u sigurua përmes deshifrimit të komunikimeve në aplikacionin e koduar Sky ECC.

Komisioneri i BE-së për Punët e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër trafikut të drogës.

“Rrjetet kriminale nuk njohin kufij, ashtu siç nuk njeh kufij as reagimi ynë”, deklaroi Brunner, duke e cilësuar sekuestrimin e mbi 43 tonëve kokainë si një goditje ndaj rrugëve të trafikimit drejt Evropës./Versus.al

Poll