Nga Nga Artan Hoxha - 21:07, 10/10/2026
Nga Artan Hoxha
Pas një seance maratonë diskutimesh në sallën e Kuvendit e proteste po aq maratonë në rrugët e sheshet para tij, Edi Rama e miratoi me 85 vota pro ligjin për ndryshimet në ndarjen territoriale për bashkitë. Përveç deputetes Koçeku, që ka ikur nga grupi parlamentar socialist, 82 të tjerët e tij plus 3 të Tomës votuan në unison. Rebelimi oral i Braçes, Sinës apo Spiropalit nuk u shndërrua në votë kundër.
Ndonëse nën presionin e protestës shoqërore që nisi në fund të majit dhe vijoi e vijon çdo ditë e pareshtur, me opozitën demokrate që i zgjidhi hallet e veta me ndërkombëtarët, amerikanët më së pari, me damkën gjithnjë e më të dukshme të autokratit që drejton një regjim pushteti me bazë të fuqishme të ekonomisë së narkos-it, në të kundërt të arsyes racionale, Edi Rama nuk ka ngurruar të hapë beteja të tjera konfliktuale, me riskun për të marrë kosto politike, edhe me faktorë të tjerë, si ajo me SPAK për rastin Balluku, me gjyqtarët dhe prokurorët lidhur me pagat në sistemin e drejtësisë apo me administratën dhe elitën lokale të 15 bashkive që i shkriu, ndonëse në shumicën e tyre ato kanë qenë e janë të majta, e deri tek përplasjet nervoze apo braktisja e intervistave edhe me gazetarë të mediave të rëndësishme të huaja.
Edi Rama ndihet i fortë e i sigurt, ndaj ai hap beteja të tilla në këto kushte, sepse ka të patundshme bazën e pushtetit të tij prej autokrati – Grupin Parlamentar Socialist, të shumtë në numër, unison në vendim e qëndrim me liderin, edhe pse shumë prej tyre që mbulojnë e kanë marrë vota në bashkitë që u shkrinë u sfiduan e u presuan direkt nga elektorati majtist përkatës. Lidhja me liderin, apo varësia ndaj tij, ku e ku në raport me lidhjen a varësinë e tyre ndaj elektoratit.
Lidhja me liderin e deputetëve dhe e drejtuesve të strukturave partiake ka qenë gjithnjë e fortë e konkurruese kundrejt lidhjes së tyre me zgjedhësit, që nga 1991 e këtej, por asnjëherë kjo lidhje me liderin nuk shfaqet kaq materialisto-pragmatistе dhe po kaq e fortë sa me Edi Ramën.
Sali Berisha si President në 1992–1996 ka ushtruar pushtet normativ shtetëror më shumë se Edi Rama sot dhe ka gëzuar autoritet moral shumë më të gjerë e më të fortë në popullatën e gjerë gjithashtu, por deputetët e PD-së në 1992–1996 e kanë sfiduar dhe rrëzuar disa herë Sali Berishën në parlamentin e kohës dhe nga ajo parti kanë dalë shumë fraksione, disa edhe si parti më vete, në opozitë të fortë me pushtetin e liderit.
Fatos Nano erdhi në pushtet me aureolën e heroit të burgosur padrejtësisht nga regjimi i Sali Berishës. Ai gëzonte pushtet normativ e moral shumë më shumë se Edi Rama sot, por atij iu desh të hynte në kompromise me individualitete dhe fraksione reale e të forta në Partinë Socialiste. Për rrjedhojë, pushteti dhe elitat majtiste qarkulluan lirisht, ndërsa u krijua mundësia për ndërrim paqësor të pushtetit në 2005.
Sali Berisha si kryeministër qeverisi me numra të brishtë mazhorance në 2005–2013, e megjithatë u sfidua disa herë nga të vetët në parlament dhe u detyrua të bëjë kompromise politike të mëdha, edhe me fraksionet brenda PD-së, edhe me aleatët politikë, deri edhe me opozitën e kohës që drejtohej nga Edi Rama.
Për rrethana të ditura, në mandatin e katërt të tij, por të tretin të tipit “timoni në një dorë”, Edi Rama ka pushtet gjithnjë e më të gjerë e gjithnjë e më të fortë, por, përjashtuar faktin se kontrollon shumë më shumë para dhe oportunitete ekonomike, ai ende nuk ka atë pushtet normativ mbi shtetin siç kanë pasur pararendësit. E megjithatë, Rama ka grupin parlamentar më solid e më të nënshtruar parlamentar në historinë e pluralizmit postkomunist, ngjashëm vetëm me grupin parlamentar të PD-së që doli nga parlamenti i zgjedhjeve famëkeqe të majit 1996.
Ndonëse njëri grup i dalë nga zgjedhje me lista shumëemërore, bile edhe disi të hapura (2025), e tjetri në zona njëemërore mazhoritare (1996), të dy performojnë njësoj, ashtu siç i duhet liderit përkatës në pushtet, se në të dy rastet anëtarët respektivë e dinë se janë aty jo se janë zgjedhur nga zgjedhësit për meritë të tyre, por se lideri respektiv u ka dhuruar shansin të përfitojnë nga votat që, në fakt, me hir a pahir, janë të tijat.
Ky raport i deputetëve me liderin në pushtet nuk ka qenë kaq cilësisht i tillë as në 1992, as në 1997 dhe 2021, as në 2009 dhe 2013. U shfaq fort si i tillë në 2017, u konsolidua në 2021 dhe u kalcifikua në 2025. Ndaj, nostalgjikët e PS-së së dikurshme bëjnë mirë të mos shpresojnë më se ndryshimi mund të vijë prej fraksioneve progresiste të asaj partie. Nuk ka më të tilla atje. Ka vetëm bindje dhe nënshtrim në një sistem autoritarist të pushtetit e të dhënies (apo heqjes) nga lart-poshtë të privilegjeve dhe shanseve të pabarabarta.
Ndaj është iluzive të presësh që rënia e regjimit Rama të nisë nga ndonjë rebelim i grupit parlamentar të PS-së apo i strukturave politiko-organizative të kësaj partie dhe, për sa kohë Rama e ka solid këtë grup, partinë gjithashtu, do të vijojë ta ushtrojë pushtetin siç di dhe siç i intereson, duke u përcjellë kësisoj edhe pushteteve të tjera rivale, formale apo informale, drejtësisë më së pari, mesazhin se ai është mjaftueshëm i fortë dhe jo vetëm që ata nuk e rrezikojnë, por mundet edhe t’ua mbledhë mirë rripat, në dashtë a në ia bëfshin borxh.
Në këto rrethana, përballja me regjimin Rama, me mjete demokratike, bëhet vetëm me shndërrimin e pakënaqësisë së gjerë popullore në votë mbështetëse për formacionet e reja politike opozitare që mund e duhet të dalin nga protesta, domosdoshmërisht në koordinim me formacionet ekzistuese opozitare reale, si një opozitë plurale dhe e përbashkuar përballë një regjimi që mposhtet me votë aq masive sa nuk i bëjnë më dobi as kulaçi e as kërbaçi.
Në fakt, mjafton të perceptohet mjaftueshëm i mundshëm ky skenar nga shumica e votuesve dhe regjimi e merr vetë të tatëpjetën. Me rrokopujë.
© SYRI.net