Qeveria e Kosovës e ka cilësuar praninë e Milan Radoiçiqit në një tubim zgjedhor të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), të udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq, si një tjetër dëshmi që, sipas saj, tregon përfshirjen e shtetit serb në sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë (REL), Qeveria e Kosovës deklaroi se prania e Radoiçiqit në tubimin e mbajtur në Kragujevc përbën “edhe një dëshmi tjetër të qartë” se sulmi në Banjskë ishte “planifikuar, financuar dhe organizuar nga shteti i Serbisë”.
Sulmi ndaj Policisë së Kosovës ndodhi në veri të vendit në shtator të vitit 2023, ku mbeti i vrarë një polic. Radoiçiq ka pranuar përgjegjësinë për organizimin e sulmit.
Ai u pa më 9 tetor në tubimin e SNS-së në Kragujevc, sipas pamjeve të publikuara nga televizioni serb N1. Në video, Radoiçiq shihet pranë Danilo Vuçiqit, djalit të presidentit serb, përpara sallës ku u zhvillua tubimi.
Sipas Qeverisë së Kosovës, këto pamje duhet të shërbejnë si “alarm për BE-në dhe vendet e tjera perëndimore”.
“Milan Radoiçiq jo që nuk dorëzohet tek autoritetet tona nga shteti i Serbisë për të dhënë përgjegjësi para drejtësisë sonë, lëre që nuk ndiqet as nga shteti atje, por madje e shoqëron dhe e siguron djalin e presidentit atje”, thuhet në reagimin e qeverisë.
Ndaj Radoiçiqit, Kosova ka lëshuar pesë fletarrestime gjatë viteve të fundit. Ai është gjithashtu nën sanksione të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe për lidhje me krimin e organizuar ndërkombëtar.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Partisë Përparimtare Serbe për një koment lidhur me praninë e tij në tubimin në Kragujevc, por deri në publikimin e raportimit nuk kishte marrë përgjigje.


