web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

“Moment historik”/ Moska reagon pas deklaratave të Trump për president të ri të Ukrainës

10 Tetor 2026, 22:36, Kosova & Bota CNA

“Moment historik”/ Moska reagon pas deklaratave të Trump

Pas deklaratave të presidentit amerikan, Donald Trump se Ukrainës i duhet një president i ri ka reaguar edhe Moska. I dërguari i posaçëm i presidentit rus Vladimir Putin, Kirill Dmitriev, në një postim në platformën “X” ka përshëndetur deklaratat e Trump.

“Presidenti Trump u bashkohet shumë njerëzve që besojnë se Ukraina ka nevojë për një udhëheqje që përqendrohet vërtet te paqja, e jo te nxitja e luftës nga ana e Zelenskit: "Është koha që Ukraina të bëhet me president të ri." Një moment ikonik dhe historik”, thuhet në postimin e Dmitriev.

Më herët, Trump u shpreh në një deklaratë për mediat se kishte ardhur koha që Ukraina të ketë një president të ri, duke e akuzuar atë se ka refuzuar mundësi të shumta për t'i dhënë fund luftës me Rusinë.

"Mendoj se është koha që Ukraina të ketë një president të ri. Zelensky mund ta kishte zgjidhur këtë luftë shumë herë, shumë e shumë herë, dhe ai zgjedh të mos e bëjë", u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të shtunën.

Presidenti amerikan sugjeroi që ukrainasit duhet të zgjedhin një udhëheqës të ri të aftë për të negociuar një marrëveshje për t'i dhënë fund luftës.

“Unë sugjeroj që ata të gjejnë një udhëheqës të ri që mund të bëjë një marrëveshje, sepse ai mund të kishte bërë shumë marrëveshje që, për ndonjë arsye, nuk i bën kurrë”, tha Trump.

Ky i fundit akuzoi gjithashtu Zelenskyn për kontribut në mungesat globale të naftës duke urdhëruar sulme ndaj rafinerive ruse të naftës. Akuzat erdhën një ditë pasi Trump njoftoi një marrëveshje me Putinin që Rusia të furnizojë qindra mijëra ton naftë për të ndihmuar në zbutjen e mungesës globale të karburantit. Uashingtoni planifikon të heqë përkohësisht sanksionet ndaj naftës ruse për të lejuar që dërgesat të vazhdojnë. /CNA





Lajmet e fundit nga