Celebrities Gossip Showbiz

Sulmohet brutalisht ylli i “Pretty Little Liars”, Keegan Allen?

Aktori amerikan Keegan Allen, i njohur për rolin e Toby Cavanaugh në serialin e famshëm “Pretty Little Liars”, është sulmuar dhe grabitur nga dy persona të maskuar në West Hollywood, Los Angeles. Autorët i kanë marrë orën e dorës, ndërsa gjatë ngjarjes e kanë goditur në kokë me armë zjarri.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së enjtes, më 8 tetor, jashtë dyqanit ushqimor Laurel Supply, në bulevardin Santa Monica.

Sipas raportimeve të mediave amerikane dhe deklaratave të autoriteteve lokale, dy persona të veshur me të zeza iu afruan aktorit, ndërsa ai ndodhej pranë automjetit të tij.

Njëri prej tyre i drejtoi një pistoletë, ndërsa tjetri e kërcënoi me thikë. Ata i kërkuan orën dhe byzylykun, përpara se njëri prej sulmuesve ta godiste në fytyrë me armën.

Pas grabitjes, dy personat u larguan me një automjet, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur.

Pas ngjarjes, Allen publikoi një video në Instagram, ku shfaqej me fytyrën e mbuluar nga gjaku, ndërsa rrëfente atë që kishte përjetuar.

Sa tani më grabitën orën jashtë Laurel Supply. Këta dy persona më goditën në kokë, më drejtuan një armë dhe kishin edhe një thikë, pastaj u larguan

-tregoi aktori në video.

Ai publikoi gjithashtu pamje nga kamerat e sigurisë, të cilat duket se dokumentojnë momentin e përballjes me grabitësit.

Në përshkrimin e videos, Allen shprehu shqetësimin për sigurinë në zonë dhe pretendoi se autorët e kishin kërcënuar me vdekje.

Jeta ime për një orë dore

-shkroi ai, duke përshkruar frikën që përjetoi gjatë sulmit.

Sipas Departamentit të Sherifit të Qarkut Los Angeles, efektivët mbërritën në vendngjarje rreth orës 21:05, pas raportimit të grabitjes.

Autoritetet konfirmuan se viktima kishte pësuar një plagë në ballë. Ekipet mjekësore e ekzaminuan aktorin në vendngjarje, por ai nuk u transportua në spital.

Deri në raportimet e fundit, autorët nuk ishin identifikuar dhe nuk ishte bërë e ditur nëse ndonjë person ishte arrestuar në lidhje me ngjarjen.

Policia u ka bërë thirrje personave që mund të kenë informacion për grabitjen të kontaktojnë hetuesit e stacionit të West Hollywood.

Aktori 37-vjeçar u bë i njohur ndërkombëtarisht përmes serialit “Pretty Little Liars”, ku interpretoi Toby Cavanaugh, një prej personazheve të rëndësishëm të produksionit.

Ai është shfaqur gjithashtu në serialin “Walker” dhe në produksione të tjera televizive.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku fansat i kanë shprehur mbështetjen aktorit pas përvojës së dhunshme.