Atentat me tritol në Gjirokastër, shpërthen në mes të qytetit makina në lëvizje, dy të plagosur rëndë në spital

11 Tetor 2026, 07:50Kronika TEMA
Atentat me tritol në Gjirokastër, shpërthen në mes të

Një automjet tip “Mercedes-Benz” shpërtheu në lëvizje mbrëmjen e së shtunës, rreth orës 22:00, në bulevardin “18 Shtatori”, në qendër të Gjirokastrës.

Policia konfirmoi se në shpërthim ishte përdorur lëndë plasëse, tritol, ndërsa vijon puna për të përcaktuar sasinë e saj.

Automjeti drejtohej nga Beqir Devolli, ndërsa pasagjer ishte Rigels Mela. Si pasojë e shpërthimit, të dy mbetën të plagosur dhe u transportuan në spital për ndihmë mjekësore.

Beqir Devolli ndodhej në gjendje të rëndë në reanimacion dhe u nis drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ndërsa Rigels Mela ishte jashtë rrezikut për jetën.

Shpërthimi ishte i fuqishëm dhe u dëgjua në një pjesë të madhe të qytetit, duke shkaktuar panik te banorët.

Pas shpërthimit, automjeti përfundoi mbi trafikndarëse, përpara Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, në afërsi të gjykatës. Të dy institucionet ndodhen vetëm pak metra larg njëri-tjetrit.

Dyshimet paraprake janë se objektiv i atentatit mund të ketë qenë Rigels Mela.

Në prill të vitit 2025, edhe automjeti i tij ishte përfshirë nga flakët pas një shpërthimi, ngjarje për të cilën mbeten për t’u sqaruar rrethanat dhe nëse ka lidhje me episodin e së shtunës.

Grupi hetimor shkoi në vendngjarje dhe nisi punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes, përcaktimin e sasisë së tritolit dhe identifikimin e autorëve të mundshëm.

Lini një Përgjigje