Java e 6-të e Superiores mbyllet me derbin Partizani–Tirana, Egnatia dhe Dinamo synojnë Teutën

Java e 6-të e “Abissnet Superiore” do të përfundojë sonte me tri përballje. Ndeshja e parë do të zhvillohet në orën 13:30 në Kurbin, ku Laçi do të presë Egnatian.

Të lidhura

None found

Kampionët do të kërkojnë maksimumin e pikëve për të qëndruar pranë kreut të renditjes, ku aktualisht pozicionohet Teuta pas fitores 2-0 ndaj Skënderbeut. Edhe Laçi synon të rikthehet te triumfi, pas disfatës së pësuar përballë Dinamos.

Derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës, që nis në orën 18:30 në stadiumin “Air Albania”, pritet të jetë sfida më e shumëpritur e mbrëmjes. Të dyja skuadrat ndodhen në një moment delikat të kampionatit dhe do të tentojnë të ringrihen në një përballje që premton emocione nga fillimi deri në fund.

Në të njëjtën orë, në stadiumin “Loro Boriçi”, Vllaznia do të përballet me Dinamon. Kjo ndeshje shënon debutimin e trajnerit Csaba Laszlo në stolin e shkodranëve, ndërsa “blutë” e kryeqytetit synojnë të vijojnë serinë e rezultateve të shkëlqyera.