Beqir Devolli, 48-vjeçari që ndodhej në timonin e automjetit tip “Mercedes-Benz” që shpërtheu mbrëmjen e së shtunës pranë godinës së Policisë së Gjirokastrës, ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të së dielës.
Devolli humbi jetën teksa transportohej me ambulancë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, për shkak të plagëve të marra nga shpërthimi.
48-vjeçari ishte drejtuesi dhe pronari i automjetit, ndërsa dyshohet se ishte edhe shënjestra e atentatit. Fillimisht, dyshimet ishin se objektiv i sulmit ishte pasagjeri Rigers Mela, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Devolli sapo ishte kthyer nga Tirana kur ndodhi shpërthimi pranë godinës së Policisë së Gjirokastrës.
Ndërkohë, një vit më parë, Melës i ishte djegur një automjet tip “Range Rover” në zonën e Dunavatit në Gjirokastër.


