
Këtë të diel, moti do të jetë i paqëndrueshëm në mbarë vendin, me vranësira, intervale kthjellimesh dhe reshje shiu në pjesën më të madhe të territorit.
Sipas parashikimit meteorologjik, reshjet do të nisin që në orët e para të ditës, me intensitet të ulët deri mesatar. Në jugperëndim dhe veriperëndim priten shtrëngata afatshkurtra, me intensitet mesatar deri lokalisht të lartë, të shoqëruara me shkarkesa elektrike dhe, në disa zona, breshër.
Gjatë ditës, reshjet do të vijojnë me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të vendit, ndërsa në zonat veriperëndimore dhe jugperëndimore do të ketë herë pas here shtrëngata me shkarkesa elektrike.
Gjithashtu, në momentin e reshjeve pritet të krijohet mjegull e dendur lokale dhe mjegullinë, duke sjellë ulje të dukshmërisë.
Era do të fryjë nga juglindja në lindje, me shpejtësi mesatare 5 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore e malore mund të arrijë deri në 16 m/s.
Në det parashikohet valëzim i forcës 3–4 ballë./Versus.al

