
Një shpërthim me tritol në qendër të Gjirokastrës, mbrëmjen e kaluar, i ka marrë jetën një personi dhe ka plagosur një tjetër.
Beqir Devolli, ose siç njihej ndryshe "Çilo", 45-vjeç, humbi jetën orët e para të mëngjesit të sotëm, teksa po transportohej me ambulancë drejt Tiranës, pas atentatit me tritol në Gjirokastër.
Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 të së shtunës, teksa “Benz-i” po lëvizte në qendër të qytetit të Gjirokastrës, në bulevardin “18 Shtatori”.
Devolli sapo ishte kthyer nga Tirana dhe po i drejtohej banesës së tij në lagjen “Palorto.” Rreth 700 metra para se të arrinte në vendin ku ndodhi shpërthimi, në makinë hipi edhe Rigers Mela.
Sipas dyshimeve paraprake, lënda plasëse ishte vendosur poshtë sediljes së shoferit, çka i ka orientuar hetuesit drejt pistës se objektiv i atentatit ishte vetë Devolli.
Dyshohet se shpërthimi u aktivizua me telekomandë nga një distancë prej rreth 30 metrash, ndërsa sasia e eksplozivit ende nuk është përcaktuar.
Të dy të plagosurit u transportuan në spital për ndihmë mjekësore, e më pas janë dërguar drejt spitalit të Traumës në Tiranë.
Por, Devolli ka ndërruar jetë në ambulancë, pa arritur dot në spital.
Viktima dyshohet se ishte dhe shënjestra e atentatit dhe se kishte lidhje me trafikun e drogës në Greqi.
Pas shpërthimit, mjeti ka humbur kontrollin dhe është përplasur me trafikndarësen, ku si pasojë është deformuar totalisht dhe ka pësuar dëme të konsiderueshme.
Në Gjirokastër kanë mbërritur edhe ekspertë nga Tirana, të cilët po punojnë për të përcaktuar dinamikën e ngjarjes dhe për të hedhur dritë mbi motivet e mundshme të atentatit.
Përmes një njotimi zyrtar, policia ka konfirmuar lëndën plasëse në automjet dhe ka dhënë detaje të reja për ngjarjen.
Njoftimi i policisë
Gjirokastër/Informacion shtesë
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për shpërthimin e një automjeti tip “Benz” në lëvizje, që dyshohet se është shkaktuar nga lëndë plasëse, me pasojë dëmtimin e drejtuesit dhe pasagjerit, ju informojmë se drejtuesi i automjetit, shtetasi Beqir Devolli 45 vjeç, banues në Gjirokastër, ka humbur jetën gjatë transportimit drejt Tiranës.
Pasagjeri, shtetasi E. Mela 26 vjeç, banues në Gjirokastër, ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Në informacionin paraprak, ai ishte identifikuar me inicialet Rigers Mela./Versus.al


