Shirat e rrëmbyeshëm gjatë natës kanë shkaktuar përmbytje në disa rrugë të qytetit të Vlorës, duke krijuar vështirësi në qarkullim. Situata rëndohet nga funksionimi jo i plotë i hidrovorit, i cili ndodhet në proces rikonstruksioni.
Reshjet intensive të shiut që kanë përfshirë Vlorën gjatë orëve të natës kanë sjellë grumbullimin e ujit në disa akse rrugore, duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve.
Situata bëhet edhe më problematike për shkak të punimeve që po kryhen në hidrovorin e qytetit, i cili aktualisht nuk funksionon me kapacitet të plotë. Kjo gjendje e shton rrezikun e përmbytjeve sa herë që qyteti përballet me reshje të dendura.
Një tjetër shqetësim mbetet infrastruktura e kanalizimeve dhe sistemi i kullimit, pasi në zona të caktuara ujërat e shiut nuk largohen në kohën e duhur, duke shkaktuar grumbullime në rrugë.
Përmbytjet e përsëritura nxjerrin sërish në pah problematikat e infrastrukturës së kullimit në Vlorë dhe nevojën për zgjidhje që të parandalojnë situata të ngjashme.












