Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se homologu i tij rus, Vladimir Putin, dëshiron të arrijë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, ndërsa ka akuzuar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, se po i reziston një kompromisi.
“Rusia do të donte të bënte një marrëveshje... por për çfarëdo arsye, Zelensky nuk dëshiron të bëjë një marrëveshje. Presidenti Putin do të donte fuqimisht të shihte një zgjidhje”, u tha Trump gazetarëve.
Trump kritikoi presidentin ukrainas për mosmbajtjen e zgjedhjeve që kur Rusia pushtoi për herë të parë Ukrainën në vitin 2022.
"Mendoj se ai duhet të mbajë zgjedhje dhe mund ta kishte zgjidhur këtë çështje shumë herë", tha Trump.
Deklaratat e tij vijnë një ditë pasi Trump dhe Zelensky shkëmbyen kritika lidhur me vendimin e SHBA-së për të lehtësuar sanksionet ndaj naftës ruse.
Trump u tha gazetarëve se Zelensky nuk i ishte bindur urdhrave të tij për të mos sulmuar rafineritë ruse dhe se sulmet rrezikojnë të përkeqësojnë mungesat globale të karburantit të shkaktuara nga lufta SHBA-Izrael kundër Iranit. Nga ana tjetër, Zelensky e quajti marrëveshjen e Trumpit me Rusinë për naftën një "vendim të dobët".
