Alkooli dhe duhani po marrin një pjesë gjithnjë e më të madhe të buxhetit të familjeve shqiptare. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2025 kjo kategori zinte 4.3% të shpenzimeve mesatare mujore, nga 4.2% në vitin 2024. Me shpenzime mesatare prej 95,227 lekësh në muaj, një familje shqiptare shpenzon rreth 4,100 lekë në muaj për alkool dhe duhan, ose afërsisht 49 mijë lekë në vit. Pra, gati një pagë mujore minimale në vit shkon vetëm për këto produkte.
Ajo që bie në sy është se shpenzimet për alkool dhe duhan u rritën me 5.1% gjatë vitit 2025, më shumë se dyfishi i rritjes së shpenzimeve të përgjithshme familjare, që ishte 2.3%. Kjo kategori zë një pjesë më të madhe të buxhetit sesa shëndetësia, me 3.4%, arsimi, me 3.3%, komunikimi, me 3.7%, apo argëtimi dhe kultura, me 2.8%. Me fjalë të tjera, familjet shqiptare shpenzojnë më shumë për alkoolin dhe duhanin sesa për disa nevoja të rëndësishme të jetës së përditshme.
Në rang vendi, fatura bëhet edhe më e madhe. Nga rreth 72.3 miliardë lekë që shpenzohen çdo muaj për konsum, llogaritet se afërsisht 3.1 miliardë lekë shkojnë për alkool dhe duhan, ose rreth 37 miliardë lekë në vit. Këto janë përllogaritje të bazuara në të dhënat e INSTAT, jo shifra të publikuara drejtpërdrejt nga institucioni. Në këtë kategori përfshihen pijet alkoolike dhe produktet e duhanit të blera për konsum në shtëpi, ndërsa shpenzimet në bare dhe restorante llogariten veçmas. Kjo do të thotë se fatura e vërtetë për këto produkte mund të jetë edhe më e lartë.