
Presidenti amerikan, Donald Trump, po shqyrton mundësinë e përfshirjes së drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër rebelëve Huthi të Jemenit, pas sulmit vdekjeprurës në Aeroportin Ndërkombëtar King Khalid në Riad të Arabisë Saudite.
Nga sulmi i së shtunës mbetën të vrarë 12 persona dhe u plagosën 309 të tjerë, sipas Autoritetit të Përgjithshëm të Aviacionit Civil të Arabisë Saudite. Disa prej të plagosurve ndodhen në gjendje kritike.
Sipas agjencisë Reuters, rebelët Huthi kanë marrë përgjegjësinë për sulmin, i cili shënon goditjen e tretë ndaj aeroportit brenda një jave.
Trump foli për mundësinë e ndërhyrjes amerikane të dielën, në bazën ajrore Andrews, ku u tha gazetarëve se Uashingtoni po shqyrton nëse do t'i bashkohet luftës kundër Huthive. Ai paralajmëroi se një vendim pritet të merret së shpejti.
Presidenti amerikan e cilësoi sulmin si “të tmerrshëm” dhe njoftoi se do të bisedojë me princin e kurorës saudite, Mohammed bin Salman, për situatën e krijuar.
Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, konfirmoi vdekjen e një shtetasi amerikan nga sulmi, duke i cilësuar goditjet si “të papranueshme” dhe duke kërkuar ndalimin e tyre./Versus.al

