Rrëshqiti në kinema dhe theu këmbën, gruaja fiton 145 mijë euro dëmshpërblim

Soft

Rrëshqiti në kinema dhe theu këmbën, gruaja fiton 145

Një mbrëmje e zakonshme në kinema përfundoi me një dëmtim të rëndë për një grua në Itali, e cila rrëshqiti në shkallët e sallës dhe theu tibien dhe fibulën e këmbës së majtë. Pas shtatë vitesh betejë ligjore, Gjykata Civile e Milanos ka vendosur që ajo të dëmshpërblehet me 145 mijë euro.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 17 janarit 2019, në një multipleks në provincën e Gorizias. Gruaja, e cila në atë kohë ishte rreth të dyzetave, kishte hyrë në sallë pasi filmi kishte nisur dhe po ndiqte dritat LED që ndriçonin shkallët për të gjetur vendin e saj.

Në një moment, ajo rrëshqiti mbi një mbulesë plastike transparente, duke pësuar fraktura në këmbën e majtë. Dëmtimi kërkoi trajtim mjekësor dhe ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa pasojat ndikuan për një periudhë të gjatë në jetën e saj të përditshme.

Gjykata Civile e Milanos, sipas raportimit të “Il Giorno”, ka vlerësuar se përgjegjësia për incidentin i takon menaxhmentit të multipleksit. Përveç periudhës së gjatë të paaftësisë për të kryer aktivitetet e përditshme, në vlerësimin e gjykatës janë marrë parasysh edhe pasojat e operacionit dhe kufizimet që gruaja ka përjetuar më pas, përfshirë vështirësitë në ecje, udhëtime dhe pushime.

Në vendim, gjykata argumenton se dëmtimet ishin në përputhje me një rrëshqitje të menjëhershme të shkaktuar nga një sipërfaqe shumë e rrëshqitshme. Ndër materialet e mundshme të pranishme në dysheme përmendet edhe kapaku plastik i një gote për pije të gazuar, i cili mund të kishte qenë i lagësht.

Nga ana tjetër, mbrojtja e menaxherit të objektit kundërshtoi pretendimet e gruas dhe dëshmitarëve. Sipas mbrojtjes, hapësira ishte pastruar dhe mbetjet nga shfaqjet e mëparshme ishin hequr.

Megjithatë, argumentet e menaxhmentit nuk bindën Gjykatën Civile të Milanos, e cila vendosi kompensimin prej 145 mijë eurosh për dëmet e shkaktuara nga incidenti.

ME TE LEXUARAT