Kryeministri Edi Rama ka krahasuar Malësinë e Madhe dhe Përmetin e sotëm me këto dy zona dhjetë vite më parë, duke deklaruar se dikur dukeshin si vende pa shpresë, ndërsa sot janë kthyer në destinacione të Shqipërisë së re.
Në nisje të episodit të pestë të sezonit të shtatë të podcast-it “Flasim”, Rama kujtoi se, përpara se të merrte detyrën e kryeministrit, për shkak të angazhimeve të tij të mëparshme, udhëtonte shpesh nëpër Shqipëri. Sipas tij, në atë kohë, Malësia e Madhe dhe Përmeti dukeshin si zona ku njerëzit qëndronin pa pasur shumë arsye për të besuar te e ardhmja.
“Qoftë Malësia, qoftë Përmeti ngjanin si vende pa shpresë. Ky kush ishte aty ishte thjesht ende aty, por të nesërmen s’do të ishte më aty”, u shpreh Rama, duke shtuar se vizitat në këto zona bëheshin kryesisht për të takuar familjarët ose për raste si dasmat dhe ceremonitë mortore.
Kryeministri deklaroi se sot të dyja zonat janë kthyer në destinacione të Shqipërisë së re, duke e cilësuar këtë ndryshim si rezultat të punës së bërë ndër vite.
“Sot janë dy destinacione të Shqipërisë së re, Shqipërisë tjetër që kemi ndërtuar me shumë mund, ndërkohë që nga bulevardi i Tiranës shumëçka mbulohet me retë artificiale të kanaleve sociale dhe të ekraneve”, tha Rama, duke iu referuar edhe protestave përpara Kryeministrisë, nga ku, sipas tij, përcillet një pamje e ndryshme e realitetit në vend.


