Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka vijuar denoncimin për ndërtimin në Parkun Rinia, duke iu përgjigjur në një video në rrjetet sociale pyetjeve dhe komenteve të qytetarëve. Ajo thekson se kundërshtimi i saj lidhet me mbrojtjen e hapësirave publike dhe me mënyrën se si pronat publike po vihen në shërbim të interesave të ndërtimit.
“Ky, nga një park i qytetarëve, do të kthehet në një kullë të pakicës”, shprehet Tabaku, duke paralajmëruar se ndërhyrja në këtë hapësirë do t’i marrë frymën një prej mushkërive të mbetura të Tiranës.
Në përgjigje të pyetjeve nëse ka denoncuar raste të tjera të ngjashme, deputetja përmend qëndrimet e saj për Pallatin e Kongreseve, parkun pranë Pallatit të Kulturës dhe vendimmarrjet e Korporatës së Investimeve. Ajo kujton se ka kërkuar llogari edhe përmes një interpelance në Parlament.
“Korporata e Investimeve është kthyer në një kompani ndërtimi”, deklaron Tabaku. Sipas saj, vendimmarrjet e këtij institucioni nuk po orientohen drejt projekteve publike në shërbim të qytetarëve, por drejt dhënies së trojeve publike për ndërtim.
Tabaku i përgjigjet edhe pyetjes nëse është kundër zhvillimit, duke theksuar se mbështet zhvillimin dhe të drejtat e pronarëve tradicionalë të Tiranës. Në këtë kontekst, ajo shprehet se trualli i Parkut Rinia ka qenë pronë e familjes Mulleti, e dhënë për qytetin dhe qytetarët si park që në kohën e planit italian.
Deputetja ngre pikëpyetje mbi mënyrën e marrjes së pronës dhe përgjegjësinë e ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës, sot kryeministër. Sipas saj, leja e ndërtimit i shërben ngritjes së një kulle për pakicën, ndërsa qytetarët humbasin një hapësirë të gjelbër në zemër të kryeqytetit.
Në përfundim, Tabaku shprehet se mbetet e hapur për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje dhe shqetësimi qytetar, veçanërisht atyre që lidhen me Tiranën.
Tabaku:
Ka pasur shumë pyetje dhe komente për denoncimin e ndërtimit te Parku Rinia.
E para: “A ke denoncuar raste të tjera të ngjashme? Te Pallati i Kongreseve? Te parku i Pallatit të Kulturës?”
I njëjti parim vlen edhe aty. Sidomos kur bëhet fjalë për Korporatën e Investimeve, kam denoncuar çdo vendimmarrje të saj, përfshirë edhe përmes interpelancës në Parlament, me një parim të thjeshtë: Korporata e Investimeve është kthyer në një kompani ndërtimi.
Nuk ka asnjë vendim që lidhet me një projekt publik në shërbim të qytetarëve. Trojet publike po jepen për ndërtim dhe unë besoj se ka shumë vend për të denoncuar aty.
Së dyti: “A je kundër zhvillimit?”
Në fakt, në çdo rast jam pro zhvillimit. Jam pro zhvillimit edhe kur bëhet fjalë për pronarët tradicionalë, të vjetër të Tiranës.
Parku Rinia, këtu ku jemi, është pronë tradicionale e familjes Mulleti, e cila ia ka dhënë qytetit të Tiranës, në shërbim të qytetarëve, për një park që në kohën e planit italian.
Ndërkohë, leja e ndërtimit këtu, përveç shumë pikëpyetjeve që ka për marrjen e kësaj prone nga ish-kryetari i bashkisë, sot kryeministër, po i merr frymën edhe mushkërisë së vetme që ka mbetur këtu në Tiranë.
Ky, nga një park i qytetarëve, do të kthehet në një kullë të pakicës.
Këtu nuk bëhet fjalë për një vendim për një park që do të jetë në shërbim të komunitetit dhe të qytetarëve. Këtu bëhet fjalë për një kullë që do të heqë mushkërinë e fundit të qytetit të Tiranës.
Për çdo pyetje tjetër, jam gjithmonë e hapur. Për çdo shqetësim qytetar, sidomos për Tiranën, për Tironën tonë!













