Nga Isuf Shehu – Avokat
Pse pika 7 e nenit 193 të Kodit të Procedurës Penale duhet shfuqizuar
Një proces penal nuk është i drejtë vetëm sepse i pandehuri lejohet të kundërshtojë një përfundim të gatshëm. Ai është i drejtë kur akuza detyrohet ta provojë akuzën në gjykimin e tij, mbi prova që formohen, shqyrtohen dhe kundërshtohen sipas rregullave të procesit. Pikërisht këtu qëndron problemi i pikës 7 të nenit 193 të Kodit të Procedurës Penale.
Dispozita parashikon se: “Vendimet e formës së prerë mund të merren për qëllime të provës lidhur me ekzistencën e faktit, duke u vlerësuar në unitet me provat e tjera.” Formulimi duket i kujdesshëm pasi vendimi nuk është formalisht detyrues dhe duhet vlerësuar së bashku me provat e tjera. Por rreziku lind më herët. Një përfundim gjyqësor i formës së prerë lejohet të hyjë si provë për një fakt që gjykata e dytë duhet ta shqyrtojë vetë.
Kur “fakti” përmban edhe personin
Problemi bëhet i dukshëm në gjykimet e veçuara të bashkëtëpandehurve. Le të marrim një rast hipotetik. A dhe B akuzohen për një vjedhje në bashkëpunim. A gjykohet me gjykim të shkurtuar dhe vendimi konstaton se vjedhjen e ka kryer së bashku me B. Më pas B gjykohet veçmas dhe prokuroria paraqet vendimin ndaj A-së për të provuar “ekzistencën e faktit”. Por ai vendim nuk provon vetëm se ka ndodhur vjedhja; ai përmban edhe konstatimin se B ka marrë pjesë në të. Pjesëmarrja e B-së është pikërisht një nga faktet që akuza duhet të provojë në procesin e B-së. Prandaj ndarja formale midis “faktit” dhe “fajësisë” mund të humbasë kuptimin sa herë që vendimi i parë individualizon personin që do të gjykohet më vonë.
Ka edhe një problem sistemik. Pikat 1–6 të nenit 193 vendosin kufij për përdorimin e provave të formuara në procedime të tjera: në raste të caktuara kërkohet prania e mbrojtësit, në të tjera pëlqimi i të pandehurit, ndërsa palët mund të kërkojnë pyetjen e personave që kanë dhënë deklarime. Pika 7, ndërkohë, lejon të hyjë rezultati gjyqësor i një procedure tjetër. Pyetja është e thjeshtë: a duhet të lejohet të hyjë nga dera e vendimit ajo që, si provë e drejtpërdrejtë, do t’u nënshtrohej garancive më të forta të kontradiktoritetit dhe përdorshmërisë?
Pavarësia dhe presionet që nuk duken
Rreziku nuk është se pika 7 urdhëron gjyqtarin të ndjekë vendimin e parë, sepse realisht nuk e bën këtë. Problemi është më i hollë. Një gjykatë e dytë përballet me autoritetin institucional të një vendimi të formës së prerë dhe me nevojën e natyrshme për të shmangur dy versione gjyqësore të papajtueshme të së njëjtës ngjarje. Në çështjet me ekspozim të lartë, këtij presioni i shtohet edhe fakti se vendimi i parë mund të jetë shndërruar ndërkohë në narrativë publike dhe mediatike.
Presioni mediatik nuk është, në vetvete, arsyeja juridike për shfuqizim, ai vetëm amplifikon një rrezik që norma e krijon vetë. Procedura duhet të minimizojë faktorët që mund ta zhvendosin gjykatën nga pika e saj e ligjshme e nisjes: prezumimi i pafajësisë, barra e provës mbi akuzën, barazia e armëve dhe vlerësimi i pavarur i provave. Një gjykatë mund të jetë subjektivisht e paanshme dhe përsëri të vendoset në një mjedis procedural që prodhon arsye objektive për dyshim.
Strasburgu: problemi nuk është teorik
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut e ka trajtuar këtë tension në disa çështje. Në Karaman kundër Gjermanisë (nr. 17103/10, 27 shkurt 2014), ajo pranoi se, në procedime komplekse, përmendja e rolit të personave që do të gjykohen më vonë mund të jetë e pashmangshme, por kërkoi që gjykatat të shmangin formulime që krijojnë përshtypjen se fajësia e tyre është paracaktuar.
Në Navalnyy dhe Ofitserov kundër Rusisë (nr. 46632/13 dhe 28671/14, 23 shkurt 2016), Gjykata shkoi më tej: kur procedimet e veçuara kanë lidhje faktike të forta, faktet e konstatuara në procesin ku personi nuk ka qenë palë nuk duhet të marrin ndaj tij cilësinë e një res judicata faktike. GJEDNJ vuri në dukje edhe rrezikun që nevoja për të shmangur vendime kontradiktore të krijojë një nxitje për gjykatat që të qëndrojnë në përputhje me njëra-tjetrën, duke cenuar pavarësinë dhe paanshmërinë e kërkimit gjyqësor.
Në Gorše kundër Sllovenisë (nr. 47186/21, 6 mars 2025), GJEDNJ-ja konstatoi shkelje të nenit 6 §§ 1 dhe 2 në rrethana ku gjyqtari që gjykoi kërkuesin kishte pranuar më parë marrëveshjet për pranimin e fajësisë të dy bashkëtëpandehurve dhe, në vendimet përkatëse, kishte bërë një vlerësim të rolit të kërkuesit që paragjykonte fajësinë e tij. Rasti nuk është identik me nenin 193/7, por ilustron të njëjtin rrezik themelor: përgjegjësia e një personi nuk duhet të marrë formë gjyqësore përpara se ai të jetë gjykuar.
Çfarë na mëson Italia
Neni 238-bis i Kodit italian lejon përdorimin e vendimeve të formës së prerë për provën e fakteve. Gjykata Kushtetuese italiane, me vendimin nr. 29/2009 (ECLI:IT:COST:2009:29), e konsideroi dispozitën kushtetuese, por e mbështeti këtë përfundim te mungesa e efektit detyrues, liria e gjykatës për vlerësim dhe nevoja për elemente të tjera konfirmuese. Pra, vetë kushtetutshmëria e mekanizmit u lidh me kufizimet e tij.
Jurisprudenca e Cassazione-s tregon sa delikat është mekanizmi. Sez. III, n. 33972/2023 (Rv. 285063-02) sqaroi se, kur vendimi përdoret si provë direkte e faktit, kërkohet konfirmim i jashtëm. Sez. I, n. 30445/2025 (Rv. 288573-01) sqaroi më tej se provat e procesit të parë nuk bëhen automatikisht të përdorshme në procesin e dytë vetëm sepse janë riprodhuar në vendimin e formës së prerë: ato mbeten të nënshtruara ndaj rregullave të përdorshmërisë së provave të formuara në një procedim tjetër. Kjo përvojë nuk provon se shfuqizimi është zgjidhja e vetme. Tregon, megjithatë, se norma prodhon një tension të vazhdueshëm midis ekonomisë procedurale dhe kontradiktoritetit.
Pse shfuqizim dhe jo një formulë tjetër
Mund të shtohej një kufizim: vendimi të mos jetë provë e vetme, të kërkohen prova autonome, ose të ndalohet vetëm për autorësinë. Por këto zgjidhje e mbajnë gjallë të njëjtën pyetje: ku mbaron “ekzistenca e faktit” dhe ku fillon përgjegjësia individuale? Në gjykimet e bashkëpunimit ky kufi është shpesh i paqartë. Përvoja italiane tregon se për ta administruar këtë dallim janë dashur vite jurisprudence dhe kufizime të njëpasnjëshme.
Shfuqizimi është më i qartë. Ai nuk humbet provat e procedimit tjetër: ato mund të merren sipas pikave 1–6 të nenit 193 dhe rregullave të tjera të Kodit. Hiqet vetëm privilegji që përfundimi i një gjykate tjetër të përdoret si provë e faktit penal në procesin aktual. Gjykata e dytë nuk duhet të gjykojë vendimin e gjykatës së parë; duhet të gjykojë provat.
Kjo zgjidhje nuk prek as rastet kur ligji u njeh vendimeve një funksion tjetër të posaçëm, si neni 192, dhe as rastet kur vetë ekzistenca e një vendimi është fakt juridik relevant. Por pas shfuqizimit, përdorimi i tij për të njëjtin qëllim nuk duhet të rikthehet nëpërmjet rregullit të përgjithshëm për dokumentet të nenit 191; përndryshe reforma do të mbetej vetëm formale.
Amendimi
Në projektligjin e vitit 2026 të konsultuar për ndryshimet e Kodit, neni 193 nuk është objekt ndërhyrjeje, ndërsa relacioni deklaron forcimin e procesit të rregullt, barazisë së armëve dhe prezumimit të pafajësisë si objektiva të reformës. Pikërisht për këtë arsye, ndërhyrja mund të jetë e thjeshtë dhe e qartë: “Në nenin 193, pika 7 shfuqizohet.”
Nuk është e nevojshme të pretendohet se norma aktuale është domosdoshmërisht antikushtetuese. Ligjvënësi mund të zgjedhë një standard procedural më të lartë se minimumi që mund të tolerojë jurisprudenca kushtetuese ose konvencionale. Ekonomia gjyqësore është një interes legjitim, por për personin që nuk ka qenë palë në procesin e parë, shqyrtimi i faktit nuk është një përsëritje: është gjykimi i tij i parë.
Pika 7 është e rrezikshme jo sepse e detyron gjykatën të dënojë, por sepse lejon që një pjesë e faktit të mbërrijë në proces tashmë e pajisur me autoritet gjyqësor. Në një sistem ku gjykata duhet të jetë jo vetëm e pavarur, por edhe objektivisht e paanshme, kjo është një shtysë e panevojshme. I pandehuri nuk duhet të ketë vetëm të drejtën të kundërshtojë një fakt të gjykuar më parë. Ai duhet të ketë të drejtën që fakti mbi të cilin mbështetet akuza të provohet në gjykimin e tij.
Lini një Përgjigje