Zbulohet lokali i përshtatur si kazino në Has! Arrestohet 47-vjeçari, shpallet në kërkim pronari

11 Tetor 2026, 10:50Kronika TEMA
Zbulohet lokali i përshtatur si kazino në Has! Arrestohet

Një ambient i përshtatur për ushtrimin e paligjshëm të lojërave të fatit është zbuluar nga forcat e rendit në verilindje të vendit, pas një operacioni policor.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Has, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve në DVP Kukës, finalizuan operacionin e koduar “Pokeri”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative mbi veprimtarinë ilegale.

Si rezultat i ndërhyrjes, u arrestua në flagrancë shtetasi A. D., 47 vjeç, banues në Krumë, në cilësinë e punonjësit të lokalit, si dhe u shpall në kërkim pronari i subjektit, shtetasi E. Q., 34 vjeç, po ashtu banues në Krumë.

Gjatë kontrollit të ushtruar brenda ambienteve të lokalit, uniformat blu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 10 makineri elektronike të markës “APEX”, 1 tavolinë profesionale pokeri, fletore me shënime dorëshkrimi ku evidentoheshin shumat e luajtura nga klientët, si dhe 1 aparat celular.

Policia e Shtetit bën me dije se vijon puna intensive në terren për kapjen e pronarit të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale i kaluan menjëherë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprat penale të fshehjes së të ardhurave, mospagimit të taksave dhe tatimeve, organizimit ose ushtrimit të veprimtarisë së lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin, si dhe vënies në dispozicion të lokaleve për lojëra të palejuara.

Lini një Përgjigje