Has/ zbulohet kazinoja e paligjshme, arrestohet 47-vjeçari
Një lokal i përshtatur për zhvillimin e paligjshëm të lojërave të fatit është zbuluar nga policia në Krumë të Hasit, në kuadër të operacionit të koduar “Pokeri”.
Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Has, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve në DVP Kukës, pas informacioneve të siguruara për aktivitetin e paligjshëm.
Në përfundim të ndërhyrjes, u arrestua në flagrancë një 47-vjeçar, banues në Krumë, i cili punonte në lokal. Ndërkohë, pronari i subjektit, një 34-vjeçar, është shpallur në kërkim nga autoritetet.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi 10 makineri elektronike të markës “APEX”, një tavolinë profesionale pokeri, fletore me shënime për shumat e luajtura nga klientët dhe një aparat celular.
Policia bën me dije se vijojnë kërkimet për kapjen e pronarit, si dhe veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të aktivitetit të paligjshëm.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Kukësit për veprat penale që lidhen me fshehjen e të ardhurave, mospagimin e taksave dhe tatimeve, organizimin e lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin dhe vënien në dispozicion të ambienteve për zhvillimin e tyre.

