Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Abu Dhabi u ka bërë thirrje shtetasve të saj që ndodhen në Arabinë Saudite, veçanërisht në kryeqytetin Riad, të tregojnë kujdes maksimal për shkak të përkeqësimit të gjendjes së sigurisë dhe sulmeve të njëpasnjëshme me raketa e dronë.
Të lidhura
None found
Misioni diplomatik u kërkon qytetarëve të respektojnë pa përjashtim udhëzimet e autoriteteve saudite të sigurisë dhe të shërbimeve të mbrojtjes civile.
Në rast se aktivizohet një alarm ose dëgjohet sirena e rrezikut, qytetarët duhet të futen menjëherë në ambiente të mbyllura dhe të qëndrojnë larg dritareve apo sipërfaqeve prej xhami. Po ashtu, këshillohet shmangia e grumbullimeve publike, instalacioneve ushtarake dhe zonave kufitare pranë Jemenit.
Ambasada rikujton se fotografimi, filmimi dhe publikimi në rrjetet sociale i pamjeve nga sulmet janë subjekt i kufizimeve të rrepta. Sipas njoftimit, autoritetet saudite parashikojnë dënime të ashpra për këto veprime. Qytetarët duhet t’i mbajnë celularët të karikuar dhe të njoftojnë për çdo objekt të dyshimtë ose mbetje raketash.
Udhëtarët ajrorë duhet të kenë parasysh se situata mund të shkaktojë vonesa ose anulime fluturimesh. Për këtë arsye, pasagjerëve u rekomandohet të verifikojnë statusin e fluturimit pranë kompanisë ajrore përpara se të drejtohen në aeroport.
Njoftimi është bërë në një periudhë kur sulmet ndaj Arabisë Saudite janë shtuar. Të shtunën, më 10 tetor, Aeroporti Ndërkombëtar King Khalid në Riad u sulmua sërish, duke lënë disa persona të plagosur dhe duke sjellë pezullimin e përkohshëm të operacioneve. Ndërkohë, të enjten, tre shtetas sauditë humbën jetën në sulmet ndaj aeroportit.
Shtetasit e Maqedonisë së Veriut që kanë nevojë për ndihmë urgjente mund të kontaktojnë Ambasadën në Abu Dhabi në numrin e detyrës +971 56 441 7532.
Misioni diplomatik u bën thirrje qytetarëve që ta përcjellin këtë njoftim edhe te shtetasit e tjerë të Maqedonisë së Veriut që ndodhen në Arabinë Saudite.







