Zoti Braçe! Përmende emrin e deputetit të rëndësishëm në PS dhe motren e tij që vjedhin buxhetin…!

Deputeti Erion Braçe, duke reaguar ndaj atyre që e kritikuan për votën pro reformës territoriale, ka ngritur një çështje shumë më të rëndë se polemika për qëndrimin e tij në Parlament. Ai pretendon se një shërbim publik është vjedhur nga një person që e cilëson si “oligarku më i madh i sektorit”. Por emrin nuk e thotë.

Ja se çfarë shkroi Erion Braçe: “…foli një i tretë-palaço ky, (cili deputet i rëndësishëm është ky? Shënim i KJ) me motrën nën akuzë si hajdute e veten në rolin e kirurgut të një shërbimi publik me halle e të vjedhur nga oligarku më i madh i sektorit që është edhe punëdhënësi i tij”.

Këtu Braçe duhet të jetë i drejtpërdrejtë. Për kë bëhet fjalë? Cilin shërbim publik përmend? Çfarë është marrë prej tij, me çfarë mekanizmi dhe me përgjegjësinë e kujt?

Swiss Digital Desktop Reklama

Pra zoti Braçe pyetjet e publikut, por edhe nga socialistët e thjeshtë, janë:

Swiss Digital Mobile Reklama

A është thjesht deputet apo ka qenë edhe ish-ministër? A është kryeministri Rama në dijeni? Ose edhe për të ndihmuar zotin Braçe, që si një fjalëkryq politik po pyesim: A mos është nga Tirana apo nga Librazhdi, ky deputeti me shumë takat vendimmarrës? Apo është edhe kandidat për kryeparlamentar? Apo…? A mos është një ish-ministër që bisedat dhe sms e kryeministrit Rama ia dërgonte djalit të një oligarku duke ngatërruar dynjanë? Apo mos është një deputet si ish-ministër që e shkarkoi Ergys Agasi?

Fol Erion Braçe!

Këto pyetje burojnë nga vetë deklarata e deputetit Braçe. Kur flitet për cenimin e një shërbimi publik, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë sqarime, sepse pasojat prekin paratë dhe shërbimet që u takojnë atyre.

Braçe ka një përvojë të gjatë politike dhe institucionale. Fjala e tij ka peshë. Pikërisht kjo peshë e detyron të shoqërojë akuzën me fakte konkrete. Aludimet krijojnë zhurmë, por nuk përcaktojnë përgjegjësi. Ato hapin rrugën për hamendësime, ku secili vendos emrin që dëshiron.

Nga fjalia e tij nuk mund të dihet saktësisht se personi i përmendur është një deputet i fuqishëm i PS-së. Këtë duhet ta sqarojë vetë Braçe. Nëse flet për ndikim politik mbi një shërbim publik, duhet të tregojë kush e ushtron atë ndikim dhe si.

Edhe pretendimi se personi i sulmuar punon për këtë “oligark” kërkon sqarim. Nëse deputeti pretendon se ajo marrëdhënie ndikon në qëndrimet publike të dikujt, duhet ta argumentojë.

Çështja më serioze mbetet ajo e institucioneve. Nëse Braçe ka dokumente që mbështesin akuzën, a i ka dorëzuar? Ku dhe kur? Çfarë përgjigjeje ka marrë? Nëse pretendon se ka pasur heshtje apo mbrojtje politike, duhet të kërkojë llogari konkretisht. Pse nuk shkon në SPAK?

Një deklaratë kaq e rëndë nuk duhet të mbetet pjesë e zemërimit ndaj kritikëve të votës së tij. Ajo kërkon një vijim publik, me emra, dokumente dhe mundësi përgjigjeje për personat e përmendur.

Zoti Braçe, thuaje emrin dhe paraqit faktet! Zakonisht nuk të mungon kurajo, por në këtë rast lëshove një silurë, por nuk dihet saktësisht objektivi.

Qytetarët kanë të drejtë të dinë çfarë pretendon se ka ndodhur me shërbimin e tyre publik dhe kush duhet të mbajë përgjegjësi.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?