
Policia ka goditur një rast të organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit në Krumë të Hasit. Në pranga është vënë një 47-vjeçar, punonjës i lokalit, ndërsa pronari 34-vjeçar është shpallur në kërkim.
Operacioni policor i koduar “Pokeri” u zhvillua nga Komisariati i Policisë Has, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës.
Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit, policia sekuestroi 10 makineri elektronike të lojërave të fatit të markës “APEX”, një tavolinë pokeri, fletore me shënime për shumat e parave të luajtura, si dhe një aparat celular.
Sipas policisë, lokali ishte përshtatur për zhvillimin e lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin.
Autoritetet bëjnë me dije se vijon puna për kapjen e pronarit të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Kukësit për veprat penale të fshehjes së të ardhurave, mospagimit të taksave dhe tatimeve, organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit dhe vënies në dispozicion të lokaleve për lojëra të palejuara.

