
Një 19-vjeçar turk, i kërkuar nga autoritetet shqiptare për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, është arrestuar në Greqi. Bashkë me të, në pranga kanë rënë edhe dy shtetas të tjerë turq, të moshës 21 dhe 22 vjeç.
Tre të rinjtë u arrestuan në aksin kombëtar Kalamata–Pylos nga efektivët e Ekipit të Parandalimit dhe Ndërmjetësimit të Mesinisë, pasi akuzohen për shkelje të ligjeve për narkotikët, të huajt dhe falsifikimin.
Gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonin, policia gjeti dhe sekuestroi 14.7 gramë marijuanë dhe një sasi të vogël kokaine, të cilat dyshohet se i posedonin së bashku.
Ndërkohë, 19-vjeçari dhe 22-vjeçari paraqitën dokumente me autenticitet të dyshimtë, të cilat u sekuestruan nga policia. Nga verifikimet rezultoi se të dy qëndronin në mënyrë të paligjshme në Greqi.
Sipas autoriteteve greke, 19-vjeçari rezultonte në kërkim ndërkombëtar me “Alarm të Kuq” nga Interpoli, pas një kërkese të autoriteteve shqiptare. Ai akuzohet për vrasje dhe mbajtje e përdorim të paligjshëm të armëve të zjarrit.
Gjatë operacionit u sekuestruan gjithashtu katër telefona celularë, karta identiteti dhe leje drejtimi të lëshuara nga autoritetet bullgare.
Hetimet paraprake për rastin po kryhen nga Nëndrejtoria e Prokurorisë dhe Hetimit të Krimeve në Kalamata./Versus.al

