Policia Rrugore e Shkodrës ka shtuar kontrollet në të gjitha akset e qarkut, me fokus parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut. Gjatë një jave monitorime, janë proceduar penalisht 6 drejtues mjetesh për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, ndërsa janë pezulluar edhe 8 leje drejtimi.
Sipas Policisë, gjatë kontrolleve janë vendosur gjithsej 1006 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Prej tyre, 193 gjoba janë vendosur për tejkalim të normave të shpejtësisë, 41 për parakalime të gabuara, 6 për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit, 20 për mosvendosjen e rripit të sigurimit, 3 për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit, 20 për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse, 7 për qarkullim me xhama të errësuar, 494 për parkim ose qëndrim të gabuar dhe 222 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Policia Rrugore bën të ditur se kontrollet do të vijojnë në akset urbane, interurbane dhe rurale, me synim evidentimin e shkeljeve dhe rritjen e sigurisë rrugore. Njëkohësisht, apelon që drejtuesit e mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo shkelje që konstatojnë.












Komente
Komento