“Po” përmes telefonatës mes dy burgjeve dhe më pas ekzekutimi, historia rrëqethëse e të riut iranian që nuk pa dot më gruan e tij

11/10/2026 11:35

Një histori dashurie me fund tragjik ka tronditur opinionin publik në Iran dhe më gjerë. Alireza Sepahi, 25 vjeç, u ekzekutua me varje më 5 tetor në burgun Dastgerd të Isfahanit, vetëm pak orë pasi u martua nga distanca me të dashurën e tij 22-vjeçare, Mahshad Kashani, e cila mbahej në një burg tjetër.

Ceremonia u zhvillua përmes telefonit, me ndihmën e një avokati dhe pjesëmarrjen e familjarëve. Pavarësisht përpjekjeve të tyre, autoritetet nuk lejuan që çifti të takohej për herë të fundit. Në ceremoni u përdorën simbolikisht një Kuran, një ëmbëlsirë tradicionale persiane dhe një trëndafil i kuq.

Sepahi ishte arrestuar në janar 2026 gjatë protestave kundër qeverisë iraniane dhe ishte dënuar me vdekje për përfshirjen e pretenduar në një çështje që lidhej me vrasjen e katër pjesëtarëve të forcave të sigurisë.

Ai dhe mbrojtja e tij i kundërshtuan akuzat, ndërsa organizatat për të drejtat e njeriut ngritën shqetësime për procesin gjyqësor dhe pretendimet për tortura, presion ndaj familjarëve dhe kufizim të të drejtave të mbrojtjes.

I riu i kishte shpëtuar ekzekutimit në korrik, pasi pësoi një problem të rëndë kardiak pak para zbatimit të dënimit. Megjithatë, përpjekjet e avokatëve për rishqyrtimin e çështjes nuk arritën ta shpëtonin.

Pas ekzekutimit, familja e tij, sipas raportimeve, nuk u lejua ta varroste në Isfahan dhe trupi u dërgua në qytetin Kashan. Ndërkohë, sipas mediave iraniane, bashkëshortja e tij po përballet me presion në burg për të mohuar martesën e zhvilluar pak orë para vdekjes së tij.

Rasti ka rikthyer vëmendjen te shqetësimet për dënimet me vdekje dhe respektimin e të drejtave të njeriut në Iran.

Top Channel