AKTUALITET /

Parakalime të gabuara, shpejtësi tej normales, Rrugorja e Shkodrës "këput" mbi 1 mijë gjoba në 1 javë

Gjatë kësaj periudhe, 6 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për drejtim nën ndikimin e alkoolit.

Shkruar nga Versus

Parakalime të gabuara, shpejtësi tej normales, Rrugorja e

Policia Rrugore e Shkodrës ka vendosur 1006 masa administrative gjatë një jave, në kuadër të kontrolleve për parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë rrugore.

Si rezultat i monitorimeve në të gjitha akset e qarkut, janë proceduar penalisht 6 shtetas për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, ndërsa janë pezulluar 8 leje drejtimi.

Sipas Policisë, nga kontrollet janë evidentuar shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Numri më i madh i gjobave është vendosur për parkim ose qëndrim të gabuar, me 494 masa administrative, të ndjekura nga 222 masa për shkelje të tjera dhe 193 për tejkalim të normave të shpejtësisë.

Gjithashtu, janë vendosur 41 gjoba për parakalime të gabuara, 20 për mosvendosjen e rripit të sigurimit, 20 për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse, 7 për qarkullim me xhama të errësuar dhe 3 për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit.

Gjatë kësaj periudhe, 6 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për drejtim nën ndikimin e alkoolit.

Policia Rrugore e Shkodrës njofton se kontrollet do të vijojnë në akset urbane, interurbane dhe rurale, me fokus evidentimin e shkeljeve dhe parandalimin e aksidenteve.

Njëkohësisht, u bëhet apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, ndërsa qytetarët ftohen të denoncojnë shkeljet në numrin pa pagesë 112./Versus.al

Poll