Policia Rrugore e Shkodrës ka intensifikuar kontrollet në të gjitha akset e qarkut, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe përmirësimin e sigurisë në trafik. Gjatë një jave monitorimesh, janë vendosur 1006 masa administrative për shkelje të Kodit Rrugor, ndërsa 6 drejtues mjetesh janë proceduar penalisht dhe 8 leje drejtimi janë pezulluar.
Sipas të dhënave të policisë, numri më i madh i gjobave është vendosur për parkime ose qëndrime të gabuara, me 494 raste. Pas tyre renditen 222 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor dhe 193 gjoba për tejkalim të normave të shpejtësisë.
Gjatë kontrolleve janë ndëshkuar gjithashtu 41 drejtues për parakalime të gabuara, 20 për mosvendosjen e rripit të sigurimit, 20 për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse, 7 për qarkullim me xhama të errësuar, 6 për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit dhe 3 për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit.
Policia Rrugore njofton se kontrollet do të vijojnë në akset urbane, interurbane dhe rurale të qarkut, me fokus evidentimin e shkeljeve dhe rritjen e sigurisë rrugore.
Njëkohësisht, u bën apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe u kërkon qytetarëve të denoncojnë në numrin 112 çdo shkelje që konstatojnë.


