Një pistoletë në makinë, një armë gjahu pa leje në banesë dhe një bllok me shënime për shuma të ndryshme parash. Këto janë provat e sekuestruara nga policia gjatë operacionit , që çoi në pranga një 29-vjeçar nga Kruja. Ervis Cara u kap në flagrancë në Kamëz, teksa lëvizte me automjet, në të cilin iu gjet një armë zjarri pistoletë. Sipas policisë, dyshohet se arma transportohej me qëllim trafikimin e saj. Kontrollet vijuan edhe në banesën e të arrestuarit, ku uniformat blu gjetën një armë gjahu pa leje dhe 50 fishekë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu automjeti, një celular dhe një bllok shënimesh, ku dyshohet se mbaheshin të dhëna për shuma të ndryshme parash.