Një 46-vjeçar është arrestuar në Kavajë, i dyshuar si një nga autorët e vjedhjes së një kasaforte me rreth 600 mijë lekë dhe gjashtë celularëve nga një dyqan rrobash. Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim bashkëpunëtorin e dyshuar, 30 vjeç.
Ngjarja u denoncua më 8 tetor nga menaxherja e dyqanit, në lagjen nr. 3 të Kavajës, e cila njoftoi se gjatë natës persona të paidentifikuar kishin hyrë në biznes dhe kishin marrë kasafortën me paratë, si dhe gjashtë aparate celularë.
Pas hetimeve, policia identifikoi dy autorët e dyshuar dhe arrestoi shtetasin M. L., 46 vjeç, banues në Kavajë. Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet dhe u sekuestrua kasaforta e vjedhur, brenda së cilës kishte ende një sasi parash.
Ndërkohë, shtetasi A. S., 30 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në vjedhje, është shpallur në kërkim. Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e tij.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprën penale “Vjedhja”.


