Një denoncim i mbërritur në redaksinë e JOQ Albania ngre dyshime se objektivi i atentatit të dyshuar, për të cilin u arrestuan tre persona në Lezhë, mund të ketë qenë Andi Marku, drejtues i Portit të Shëngjinit dhe drejtues i Partisë Socialiste në Kolsh. Sipas qytetarit, ngjarja dyshohet se nuk është bërë publike me emrin e personit që pretendohet se ishte shënjestra, për shkak të ndërhyrjes së drejtuesve të Policisë së Lezhës. Këto pretendime mbeten të paverifikuara zyrtarisht.
Sipas denoncuesit, motori që dyshohet se është përdorur nga personat e arrestuar është gjetur në zonën e Pllanës, pranë fshatit Kolsh. Qytetari pretendon gjithashtu se vendi ku u gjet motori ndodhet pranë një lokali që, sipas tij, i përket Andi Markut dhe është ndërtuar pa leje. Deri më tani, këto pretendime nuk janë konfirmuar nga autoritetet dhe nuk ka të dhëna zyrtare që të provojnë se Marku ishte objektivi i planit të dyshuar për vrasje.
Qytetri shkruan:
Përshëndetje, JOQ! Nga operacioni i zhvilluar një ditë më parë, ku janë arrestuar 3 persona për armëmbajtje pa leje, pasi donin të kryenin një vrasje në zonën e Lezhës. Personi që donin t’i bënin atentat ishte drejtori i Portit të Shëngjinit, Andi Marku, dhe njëkohësisht drejtues i Partisë Socialiste në Kolsh, Lezhë. Por ngjarja u fsheh nga drejtuesit e Policisë së Lezhës për të mos ia nxjerrë emrin në media. Dhe vendi ku u gjet motori është në afërsi të komunës Kolsh, ku ai ka lokalin që e ka ndërtuar pa leje. Në Pllanë është gjetur motori, në afërsi të fshatit Kolsh. Ky informacion është i vërtetë, mund ta konfirmoni edhe nga burimet e tjera që keni në terren. Lajmi është 100 për qind i vërtetë!!! Ju përshëndes.
Mbetet për t'u parë nëse pretendimet e denoncuesit do të konfirmohen nga Policia e Lezhës apo organet e tjera kompetente.