
Shpërthimi me tritol që i mori jetën Beqir Devollit në Gjirokastër dyshohet se u realizua me telekomandë. Sipas burimeve, autorët e kishin ndjekur 45-vjeçarin për rreth 3 kilometra, nga zona e Viroit deri në vendin ku ndodhi shpërthimi.
Devolli, i njohur edhe me nofkën “Çilo Hunderri”, kishte pirë kafe me një mik përpara se të hipte në automjetin tip “Benz”, i cili u hodh në erë pak më vonë. Në makinë ndodhej edhe Erigels Mela, 26 vjeç, i cili mbeti i plagosur.
Sipas informacioneve paraprake, të dy personat kishin qenë nën kërcënime. Vitin e kaluar, automjetit të Melës i ishte vënë zjarri, ngjarje që dyshohet se mund të ketë qenë një paralajmërim.
Ndërkohë, Beqir Devolli kishte qëndruar për dy vjet nën masën e arrestit në shtëpi në Tiranë.
Shpërthimi ndodhi pranë ambienteve të policisë, ndërsa dyshohet se autorët kishin pritur që rruga të zbrazjej për të aktivizuar lëndën plasëse.
Një nga pistat që po hetohet është ajo e një hakmarrjeje të mundshme, e lidhur me vrasjen e Artan Myrtajt në Sarandë, rreth dy javë më parë.
Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, identifikuar autorët dhe përcaktuar motivin e atentatit./Versus.al

