Begaj në Dibër: “Oda Dibrane” bashkon shqiptarët përtej kufijve

11 Tetor 2026 | 13:15

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, vizitoi Dibrën, ku mori pjesë në ceremoninë përmbyllëse të edicionit të 32-të të festivalit “Oda Dibrane”. Gjatë fjalës së tij, kreu i shtetit vlerësoi rolin e festivalit në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe forcimin e lidhjeve mes shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve.

Gjatë vizitës, Begaj u prit nga kryetari i Bashkisë së Dibrës, Rahim Spahiu, me të cilin diskutoi për projektet dhe sfidat e zhvillimit lokal, promovimin e trashëgimisë kulturore dhe potencialet turistike të zonës.

Në përshëndetjen e tij në përfundim të festivalit, Presidenti e cilësoi “Odën Dibrane” si një simbol bashkimi për shqiptarët në të gjitha trevat dhe në diasporë, duke theksuar se kultura dhe tradita i kapërcejnë kufijtë shtetërorë.

“Sonte jemi së bashku këtu, në Peshkopi. Dy qytete, dy shtete, një Dibër. Një kulturë që nuk e ndajnë dot kufijtë. Kjo është një nga arritjet më domethënëse të ‘Odës Dibrane’.

Ajo bashkon shqiptarët e Shqipërisë me shqiptarët në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Luginën e Preshevës, arbëreshët dhe diasporën tonë kudo në botë”, u shpreh Begaj.

Duke u ndalur te simbolika e odës në traditën shqiptare, kreu i shtetit theksoi se ajo është hapësira ku ruhen dhe përcillen ndër breza mençuria popullore, zakonet, këngët dhe vlerat e besës e të mikpritjes. Në këtë kontekst, ai e cilësoi “Odën Dibrane” si “një odë të madhe shqiptare”.

Begaj nënvizoi gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe përcjelljes së saj te brezat e rinj, duke theksuar se traditat nuk mund të mbijetojnë vetëm përmes aktiviteteve të organizuara në raste festash, por kërkojnë angazhim të vazhdueshëm.

“Trashëgimia kulturore nuk është vetëm kujtim i së shkuarës dhe folklori nuk mund të jetë një muze që hapet disa herë në vit, vetëm për festa.

Një traditë jeton vetëm kur këndohet, kërcehet, rrëfehet, mësohet dhe përcillet. Një këngë që nuk këndohet më, humbet. Një valle që nuk mësohet më, humbet. Një fjalë, një rit, një instrument apo një mjeshtëri që nuk i kalon brezit tjetër, rrezikon të mbetet vetëm në arkivë”, deklaroi Presidenti.

Ai vlerësoi edhe kontributin e diasporës në ruajtjen e lidhjeve me vendlindjen, duke e cilësuar këngën, vallen, gjuhën dhe zakonet si ura që bashkojnë shqiptarët kudo që jetojnë.

Në përfundim, Begaj shprehu mirënjohjen për organizatorët, artistët, studiuesit, institucionet dhe publikun që kanë mbështetur festivalin përgjatë 32 viteve, duke uruar që kjo veprimtari të vijojë të promovojë kulturën shqiptare dhe të përcjellë traditat te brezat e ardhshëm.

“Uroj që ‘Oda Dibrane’ të vazhdojë gjatë, të jetë oda e Dibrës dhe një odë e madhe e kulturës shqiptare, një vend ku dera mbetet e hapur dhe tradita pjesë e së ardhmes”, përfundoi Begaj.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Derbi Partizani-Tirana, policia jep njoftimin: Ja cilat rrugë bllokohen

Policia e Tiranës ka marrë masa të posaçme për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë derbit mes Partizanit dhe KF Tiranës, që do të zhvillohet...
13:02 | 11/10/2026

TikTok heq 45 video pas ankesave, Armela Krasniqi: 9 të tjera pritet të jenë fshirë

Drejtoresha e Agjencisë së Medias Audiovizive, Armela Krasniqi, ka bërë të ditur në një intervistë për Euronews Albania me moderatoren Alba Xhani, se TikTok ka...
12:51 | 11/10/2026

I shumëkërkuari i Shkodrës Valentin Ftoni arrestohet në New York, i akuzuar për tri vrasje

Një 52-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar prej vitit 2001 dhe i dënuar dy herë me nga 25 vite burgim për tri vrasje në...
12:18 | 11/10/2026