Derbi Partizani-Tirana, kufizime në qarkullim dhe itinerare të veçanta për tifozët
Policia e Tiranës ka hartuar një plan të posaçëm masash për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë derbit mes Partizanit dhe Tiranës, që do të zhvillohet sot në orën 18:30, në stadiumin “Arena Kombëtare”.
Për shkak të ndeshjes, disa akse rrugore në kryeqytet do të bllokohen nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit. Kufizimet do të përfshijnë sheshin “Nënë Tereza”, rrugën “Lekë Dukagjini”, rrugën “Dervish Hima” dhe zonat përreth stadiumit.
Policia ka përcaktuar edhe itineraret që do të ndjekin tifozët e të dyja skuadrave. Mbështetësit e Partizanit do të nisen nga zona e Inxhinierisë, në rrugën “21 Dhjetori”, do të kalojnë pranë “Librit Universitar”, përgjatë zonës anash Presidencës dhe në rrugën “Gjergj Filipi”, për të vijuar drejt tribunës N.
Ndërsa tifozët e Tiranës do të nisen nga sheshi “Skënderbej”, pranë ish-Hotel “Dajtit”, do të kalojnë nga Ura e Dajtit dhe zona e ETC-së, për të vijuar në rrugën e Elbasanit, rrugën “Dervish Hima” dhe rrugën “Sheh Ahmet Pazari”, deri te hyrjet V–S të stadiumit.
Gjatë lëvizjes, tifozët duhet të respektojnë itineraret e përcaktuara, pasi policia nuk do të lejojë grumbullime apo devijime nga rrugët e autorizuara.
Kontrolle të rrepta do të ushtrohen edhe në hyrje të stadiumit për të parandaluar futjen e sendeve të kundërligjshme, si sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalikë dhe lëndë piroteknike.
Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi, pasi personat që nuk e disponojnë nuk do të lejohen të hyjnë në stadium. Gjithashtu, fëmijët nën 16 vjeç nuk do të lejohen të futen pa praninë e një prindi ose kujdestari ligjor, edhe nëse kanë biletë.
Në stadium nuk do të lejohen as tifozët e identifikuar më parë nga policia si problematikë gjatë aktiviteteve sportive.
Policia u ka bërë thirrje tifozëve të zbatojnë masat e sigurisë, ndërsa qytetarëve u kërkon të shmangin lëvizjen me automjete në segmentet e bllokuara gjatë orareve të përcaktuara.

