Krimi ka kapur Shqipërinë, sot hesapet lahen para dyerve të policisë

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 11.10.2026, 13:15

Shqipëria e viteve të fundit nuk ngjan më me një vend që lëngon nga pasiguria, por me një territor ku krimi i organizuar ka marrë frenat e jetës. Paralelizimi me Kolumbinë apo Meksikën nuk janë më thjesht hiperbola gazetarske, por një realitet i dhimbshëm ku grupet kriminale vrasin në mes të ditës, në mes të njerëzve dhe po aq pa frikë, përballen me vetë godinat e autoritetit shtetëror.

Ndërsa kryeministri Edi Rama vazhdon të luajë me karriget e ministrave të brendshëm dhe drejtorëve të përgjithshëm të policisë si në një lojë shahu politik, situata në terren nuk shënon asnjë përmirësim. Përkundrazi, dhuna ka marrë një trajtë edhe më sfiduese, ku breshëritë e kallashnikovëve, shpërthimet e tritolit dhe frika e përditshme janë kthyer në pamjen e vetme që ofron sot vendi. Nëse dikur hesapet laheshin natën, në ndonjë rrugicë të pandriçuar apo pyll të vetmuar, sot krimi ka dalë hapur në shesh. Ai nuk pyet më as për praninë e policisë dhe as për jetët e pafajshme që mund të priten në mes nga plumbat qorrë.

Masakra e 11 nëntorit 2025 në rrethrrotullimin e Rinasit tregoi përfundimisht se kontrolli i territorit ka ndryshuar duar. Në orën 14:20, në një nga nyjet më të populluara dhe më të monitoruara të Shqipërisë, tre ekzekutorë të maskuar zbritën nga një automjet tip "Toyota" dhe lëshuan breshëri armësh ndaj Gilmando Danit, krahut të djathtë të Emiliano Shullazit, i cili sapo ishte kthyer nga Barcelona. Për t'u siguruar për vdekjen e tij, një nga qitësit iu afrua xhamit të pasagjerit duke i dhënë goditjen e fundit, ndërsa i vdekur mbeti edhe shoqëruesi i tij, Muçi Shalianji . Plumbat që kapën fasadat e bizneseve përreth lanë një mesazh të qartë: vetëm pak kilometra larg stacionit të policisë, në mes të ditës dhe në sy të qindra qytetarëve, grupet kriminale vrasin pa iu dridhur qerpiku.

Kjo frymë sfiduese u përsërit me të njëjtën ftohtësi edhe në jug të vendit, nën hundën e vetë Policisë së Shtetit. Mëngjesin e 20 shtatorit, në orën 09:50, pasi kishte konsumuar kafenë e mëngjesit, Artan Myrtaj, i njohur në Sarandë si Tani i Ruzhdiut, u qëllua për vdekje vetëm 60 metra larg komisariatit të policisë. Edhe pse tentoi të largohej me vrap pas goditjes së parë, ekzekutori e ndoqi deri sa ta linte të pa jetë në mes të rrugës. Mesazhi ishte sërish identik: afërsia me uniformat e shtetit nuk përbën më asnjë pengesë apo rrezik për ekzekutorët.

Përforcimi i këtij stadi të frikshëm erdhi mbrëmjen e 10 tetorit në Gjirokastër, ku një tjetër atentat me tritol i mori jetën Beqir Devollit. Ngjarja ndodhi sërish në një distancë qesharake prej vetëm 100 metrash nga komisariatit, duke treguar se shpërthimet e eksplozivit apo breshëria e kallashnikovit janë bërë mjeti i zakonshëm i vendosjes së ligjit të rrugës.

Policia e Shtetit, e katandisur në një spektatore të pafuqishme, duket se është zënë përfundimisht në kurthin e krimit. Kur vrasjet ndodhin pa asnjë stepje para dyerve të komisariateve dhe në nyjet më kryesore të lëvizjes, ndërrimi i emrave në zyrat e pushtetit nuk është më zgjidhje, por thjesht një ambalazhim i dështimit total të shtetit përballë forcës së krimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit