Gjatë meshës së të dielës, në sheshin Shën Pietro, Papa Leone XIV ka njoftuar se do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale në ditët në vijim, pas zbulimit të një noduli në mushkëri gjatë kontrolleve të fundit mjekësore.
Sipas informacionit të bërë publik, noduli është zbuluar në një fazë të hershme dhe është i lokalizuar. Pas konsultimeve me mjekët, është rekomanduar heqja e tij përmes një ndërhyrjeje kirurgjikale, të cilën Ati i Shenjtë ka vendosur ta kryejë.
Deri më tani, nuk janë bërë të ditura hollësi të tjera mbi datën e saktë të operacionit, kohëzgjatjen e procedurës apo periudhën e nevojshme për rikuperim.
Njoftimi për ndërhyrjen kirurgjikale ka tërhequr vëmendjen e besimtarëve katolikë dhe të opinionit publik ndërkombëtar. Papa Leone XIV ka shprehur mirënjohjen për afërsinë dhe mbështetjen shpirtërore, duke falënderuar besimtarët për lutjet e tyre.
Gjendja shëndetësore e kreut të Kishës Katolike po ndiqet me interes, ndërsa priten informacione të mëtejshme mbi ecurinë e trajtimit. Megjithatë, pa të dhëna të hollësishme mjekësore, nuk mund të nxirren përfundime mbi natyrën e nodulit apo rezultatet e pritshme të ndërhyrjes.
Vëmendje pritet t’i kushtohet edhe angazhimeve të ardhshme të Papa Leone XIV. Për periudhën 6–17 nëntor është programuar një udhëtim në Uruguai, Argjentinë dhe Peru, por ende nuk është bërë e ditur nëse ndërhyrja kirurgjikale dhe periudha e rikuperimit do të ndikojnë në këtë program.
Për momentin, mbetet për t’u parë se kur do të kryhet operacioni dhe nëse do të nevojiten ndryshime në agjendën e Atit të Shenjtë.
Informacionet e mëtejshme mbi gjendjen shëndetësore të Papës pritet të bëhen publike përmes njoftimeve zyrtare të Vatikanit./A.Kepi
Mesazhi i Papa Leoni XIV:
"Të dashur vëllezër dhe motra, kohët e fundit, gjatë disa kontrolleve mjekësore, mjekët më kanë zbuluar një nodul të kufizuar në mushkëri. Ai është zbuluar në një fazë shumë të hershme dhe është i lokalizuar mirë.
Mjekët mendojnë se është e përshtatshme të ndërhyhet dhe, duke ndjekur këshillat e tyre, kam vendosur t’i nënshtrohem një ndërhyrjeje kirurgjikale për ta hequr atë. Ndërhyrja është planifikuar tashmë për ditët e ardhshme.
Ju falënderoj për afërsinë tuaj shpirtërore dhe ju besoj lutjeve tuaja.
Faleminderit dhe ju uroj një të diel të bekuar!"
© SYRI.net