Gjykata Themelore në Gjilan ka vendosur masën e paraburgimit prej një muaji ndaj V. R., i cili dyshohet se vrau bashkëshorten dhe vëllain e saj, si dhe plagosi dy persona të tjerë më 9 tetor në fshatin Livoç i Ultë.
Të lidhura
None found
Në njoftimin e saj, gjykata bëri të ditur se ndaj të dyshuarit po zhvillohen hetime për veprat penale të vrasjes së rëndë dhe mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Dyshimet e përshkruara nga gjykata lidhen fillimisht me vrasjen e N. B., bashkëshortes së të dyshuarit. Sipas njoftimit, ai e qëlloi atë me armë zjarri teksa ishte duke drejtuar veturën.
Më vonë, V. R. shkoi në hyrje të Livoçit të Ultë, ku ndodheshin E. B., vëllai i bashkëshortes së tij, dhe dy persona të tjerë. Ai doli nga vetura i armatosur dhe iu drejtua atyre me fjalët: “Unë jetën e humba se grujën e vrajta, edhe juve kam me ju vra”.
Pas kësaj, i dyshuari hapi zjarr në drejtim të tyre. Nga të shtënat mbeti i vrarë E. B., ndërsa njëri prej personave u plagos rëndë; personi tjetër arriti të largohej nga vendi.
Pas kryerjes së veprës, ai e çoi veturën, brenda së cilës ndodhej trupi i bashkëshortes, në oborrin e Spitalit Rajonal të Gjilanit, përpara emergjencës. Më pas, u dorëzua në polici.
Gjykata ka arritur në përfundimin se plotësohen kushtet ligjore për paraburgim dhe se masat e tjera alternative nuk do të garantonin zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale.
Palët mund ta ankimojnë vendimin për paraburgim në Gjykatën e Apelit të Kosovës.






